basha-41-334x2001-334x200 (1)TIRANË, 25 Nëntor /ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke folur në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar demokrat, bëri një pasqyrim të situatës sipas tij alarmante që po mbizotëron në vend, sa i përket pranisë së elementëve të inkriminuar në politikë e vendimmarrje.

"Rreziku dhe drama më e madhe për një vend është lartësimi i krimit me status të privilegjuar, që sundon sot Shqipërinë. Krimi në pushtet është kthyer tashmë në sistem, përmes emërimit të trafikantëve, vrasësve, tutorëve, në funksione politike e administrative të të gjitha niveleve", tha Basha

Përballë këtij realiteti, PD sheh shpëtimin e vetëm tek ligji për dekriminalizimin, i cili pret të miratohet në Kuvend pas arritjes së konsensusit mes palëve.

"Projektligji për dekriminalizimin është interes kombëtar. Ky ligj do të shërbejë për të hequr një prej njollave më të zeza dhe kuruar plagët më të rënda të periudhës së demokracisë. Ky ligj vendos filtrin e pakalueshëm të krimit drejt funskioneve politike e vendimmarrëse në të gjitha nivelet", shtoi lideri i së djathtës.

Basha u bëri thirrje deputetëve të opozitës të japin miratimin e tyre për këtë projektligj, ndërkohë që shprehu vendosmërinë e partisë që drejton për ta bërë më pas atë të prekshëm dhe realitet./b.k//m.m/