Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i përbërë nga nënkryetarët e Kuvendit: Xhavit Haliti dhe Slobodan Petroviq po merr pjesë në Sesionin Vjetor të 61-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Stavanger, Norvegji.




“Temat për debat në këtë sesion reflektojnë ndryshimet e mëdha në politikat globale të sigurisë që kanë ndodhur në kohën e fundit. Luftërat civile në Siri, Irak, Libi dhe Sudanin Jugor kanë shkaktuar vuajtje të shumta, lëvizje të njerëzve dhe destabilizim të vendeve kryesisht në Evropën Jugore. Po ashtu zhvillimet në Rusi dhe politikën e jashtme të Rusisë vazhdojnë të shpërndajnë pasiguri në Evropë dhe për këtë nevojitet një aleancë e përbashkuar politike. Asambleja Parlamentare e NATO-së luan rol kyç në fuqizimin dhe mirëmbajtjen e lidhjeve politike trans-atlantike, është thënë ndër të tjera në hapjen e këtij sesioni”, njofton zyra për media e Kuvendit të Kosovës.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Udhëheqësi i delegacionit të Kuvendi të Kosovës, Xhavit Haliti dhe anëtari i delegacionit,Slobodan Petroviq, do të marrin pjesë në këtë sesion deri në përfundimin të tij, më 12 tetor dhe do të kenë mundësinë të takohen me delegacione nga vendet anëtare dhe vëzhguese të NATO-së.




“Po ashtu delegacioni i Kuvendi të Republikës së Kosovës do të takohet me anëtarët e delegacionit të Bosnje dhe Hercegovinës, për të biseduar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët udhëtojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe do të diskutojnë për çështje tjera të sigurisë në dy vendet.




Nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Slobodan Petroviq do të takohen edhe me sekretariatin e Asamblesë Parlamentare të NATO-së për të diskutuar lidhur me mbajtjen e Seminarit Rose-Roth në Prishtinë në vitin e ardhshëm”, thuhet më tej në njoftim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së në statusin e vëzhguesit, që nga viti 2014./Indeksonline/