Prishtinë - Adem Demaçi, një nga eksponentët politikë më të rëndësishëm të Kosovës, ka kërkuar që të hapen të gjitha dosjet e komunizmit të ish-Jugosllavisë. “Le të hapen të gjitha dosjet, menjëherë. Atyre që sot janë në pozita vendimmarrëse, sikur të ishin patriotë të vërtetë, ndërsa dihet që kanë bashkëpunuar me okupatorin, nuk duhet t`iu lihet vend sot ku merren vendime. Jugosllavia ishte një prej regjimeve më shtypëse dhe më të egra që kanë përjetuar shqiptarët”-ka deklaruar Demaçi për gazetën e Prishtinës "Express".



Ky është qëndrimi i njeriut që ka vuajtur më së shumti dënim me burg në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, Adem Demaçit. Aktivisti 73- vjeçar, pas debatit që ka hapur gazeta Express për procesin e lustracionit të periudhës së komunizmit, thotë se mijëra shqiptarë janë vrarë, persekutuar, burgosur e dëbuar nga trojet e tyre me nënshkrimin e Ali Shukriut, Fadil Hoxhës, Kolë Shirokës, Sinan Hasanit dhe pjesës së nomenklaturës udhëheqëse të komunistëve jugosllavë nga Kosova.



Për mendimin e Demaçit, Jugosllavia që nga vitet 1945 e deri më 1990, për shqiptarët ka qenë njëra ndër regjimet shtypëse dhe më të egra. Gjithë ata që kishin punuar dhe kontribuuar në mbajtjen e atij regjimi, ai pa ndonjë hezitim i quan kolaboracionistë. Sipas tij, ata persona që kanë qenë të përfshirë në atë regjim, e që sot punojnë në institucionet e Kosovës, thotë se duhet larguar menjëherë nga këto pozita.