TIRANE-Opozita duket i ka dhënë fund protestave të heshtura, pas vrasjeve që ndodhën më 21 janar, citon sot e perditshmja Gazeta Shqiptare. Këtë herë parashikohet që të ketë një podium dhe fjalime politike, të drejtuesve të koalicionit “Opozita e Bashkuar”.

Burimet nga PS-ja bënë të ditur dje per Gazeten se ndryshe nga protesta e datës 28 janar apo ato të dy javëve më parë, që ishin në formë demonstratash, në 4 rrethe të vendit, këtë herë protesta do t’i kthehet normalitetit të atyre para 21 janarit. Mbrëmë, si zakonisht është njoftuar edhe policia e Tiranës, për të marrë masat për sigurimin e qetësisë, në 18 shkurt, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.

Ende nuk bëhet e ditur se ku saktësisht do të vendoset podiumi i protestës, por ideja është që ai të vendoset si herët e tjera përpara Kryeministrisë. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka porositur që edhe vetë mbështetësit e partisë të angazhohen në ruajtjen e qetësisë, gjatë organizimit të protestës, e cila mendohet nga drejtuesit e opozitës të jetë akoma më e madhe se sa ato që kanë qenë më përpara.

(d.b/GSH/BalkanWeb)