Shënimi i 132’vjetorit të mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të bëhet duke protestuar në të njëjtin qytet.



Të enjten, më 10 qershor, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë thirrje për protestë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ndërrimin e stemës së Kuvendit Komunal të Prizrenit, e cila përmban shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit.



Po ashtu, me këtë protestë, aktivistët e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar kërkimin e për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe vlerave kombëtare në përgjithësi.





Kjo është bërë e ditur të mërkurën gjatë një konference për media. Glauk Konjufca, aktivist i kësaj lëvizjeje, me këtë rast kritikoi Planin e Ahtisaarit që, sipas tij, ky plan përpos të tjerash, godet edhe identitetin kombëtar.



“Plani i Ahtisarit po na i heq simbolet tona kombëtare një nga një. Në fillim flamurin, pastaj himnin dhe së fundi edhe shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nëse nuk reagojmë, një ditë do t’i vijë radha edhe identitetit tonë kombëtar, apo gjuhës”, tha Konjufca.



Ndërsa, Artan Abrashi, aktivist i kësaj lëvizjeje në Prizren, tha se Gjykata Kushtetuese po bazohet në frymën politike të Planit të Ahtisaarit.



“Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim, me ç’rast ka aprovuar kërkesën e një përfaqësuesi të minoritetit boshnjak, se logoja aktuale e qytetit të Prizrenit, e cila në të ka simbolin e Lidhjes se Prizrenit, paraqet kërcënim për identitetin e komuniteteve pakicë të cilët jetojnë në Prizren”, tha Abrashi.



Ai tha se simboli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është vlera më e madhe historike që ka vendi.



“Pra, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë rast është fyes dhe i papranueshëm, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij simboli të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si vlerë më e madhe trashëgimisë kulturore dhe historike, të shqiptarëve në këtë shtet”, shtoi ai.



Aktivistët e Vetëvendosjes gjatë kësaj konference akuzuan udhëheqësit politikë të Kosovës, të cilët, siç thonë ata, ‘po e vënë Kosovën në çfarëdo lloj negociatash’.



Duke kundërshtuar bisedimet e mundshme me Serbinë, aktivisti Glauk Konjufca tha se prekja e fushave vitale të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nuk mund të quhen çështje teknike.



“Nëse ata i quajnë çështje teknike doganat dhe kufijtë e Kosovës, nëse ata e quajnë çështje teknike ndërrimin e zinxhirit komandues vetëm për serbët lokalë të Kosovës... atëherë kjo gjë nuk është teknike. Kjo do të afektojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe thelbësore sovranitetin e Kosovës dhe do të jetë një hap drejt krijimit të entitetit, siç e ka Republika Srpska në Bosnje”, tha Konjufca.



Aktivistët e kësaj lëvizjeje njoftuan të mërkurën se kanë përpiluar edhe një ofertë shoqërore, e cila do t’u dërgohet partive politike dhe subjekteve të caktuara shoqërore, ku do të kërkohet edhe mbështetja e tyre.