Uzina mekanike e Gramshit kishte kërkuar dhjetëra herë pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj, të cilët përbënin rrezik nëse nuk demontoheshin nga specialistë të fushës. Prokuroria ka sekuestruar disa shkresa, ku uzina në fjalë i kërkonte zyrtarëve më të lartë të ushtrisë kryerjen e këtij procesi. Por, pas letër-këmbimeve të ndryshme dhe pas eksperimenteve të kryera në Gramsh Shtabi i Përgjithshëm nxori konkluzionin se vendi ishte i papërshtatshëm dhe nuk ofronte kushtet e sigurisë teknike. Municionet që do të dërgoheshin për demontim në këtë uzinë janë dërguar më pas në Gërdec, në një fabrikë dykatëshe, e cila ishte jashtë çdo lloj parametri të sigurisë teknike, madje nuk ofronte as specialistët përkatës. Shtabi ka vendosur që municionet të mos dërgoheshin në Gramsh pasi "mungonin kushtet e sigurisë teknike!". Një lajthitje e ushtarakëve, që urdhëruan që demontimi të kryhej në Gërdec. Prokuroria thotë se disponon dokumentet me kërkesat e uzinës në fjalë.
Ndërkohë, akuza qendrore ka dërguar më datën 9 janar të këtij viti në uzinën mekanike në Gramsh një kërkesë. "Prokuroria e Përgjithshme po kryen hetime për procedimin penal numër 3, të vitit 2008, që bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në ish-brigadën e tankeve në Gërdec, në ambientet e të cilit ushtronte aktivitetin për çmontimin e çmilitarizimin e municioneve shoqëria ‘Albademil‘. Nga hetimet e zhvilluara, dokumentet e sekuestruara dhe korrespondencës që ju keni pasur me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, rezulton se nga ana juaj është kryer çmontimi e çmilitarizimi i disa municioneve të shtimjeve mbi 20 mm dhe keni kërkuar në mënyrë të vazhdueshme kryerjen e këtij procesi. Për nevoja të hetimit kërkojmë të na vihen në dispozicion kostot dhe struktura e kostos së demontimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm", thuhet në kërkesën e akuzës qendrore, e firmosur nga Kryeprokurorja Ina Rama. Përgjigjja e Uzinës Mekanike të Gramshit ka qenë se në muajin tetor të vitit 2007 janë kryer disa eksperimente, ku janë vlerësuar edhe çmimet e të gjitha kalibrave. "Në përgjigje të shkresës suaj, ju sqarojmë se për municionet e kalibrave, për të cilët kërkohet kostoja e demontimit dhe struktura e saj rezulton se: Uzina Mekanike Gramsh ka kryer procesin e demontimit të municioneve 100 mm thërrmuese dhe blindëshpuese, kostot e të cilave janë miratuar. Në kuadrin e studimit të mundësive për demilitarizimin të municioneve u morën në dorëzim dhe u krye eksperimenti i disa shtimjeve. Në përfundim të eksperimentimit u llogaritën edhe kostot e demontimit për secilin nga këto tipe. Sqarojmë se eksperimentimi i kryer për këto tipe shtimjesh u bazua në metodën me prerje në sharra në zonën e lëndës plasëse, metodë kjo që nuk është pranuar nga specialistët e Shtabit të Përgjithshëm për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë" thuhet në përgjigjen e Uzinës Mekanikë të Gramshit, ku drejtori i saj, Fiqeret Mato, njihte prokurorinë me të gjitha çmimet për demontimin.
Më tej llogaritej koha dhe çmimet për kalibrat e mëdhenj. Në analizën e uzinës duket një punë e mirorganizuar. Fillimisht përdorej shkarkimi dhe magazinimi, më pas hapja e arkave dhe kontrolli i predhave, çmontimi i kapsollës, shkëputja e predhës nga kapsolla, çmontimi i djegores, zbrazja e barutit, shtypja e gëzhojës, transporti i predhave, magazinimi i lëndës plasëse, asgjësimi i barutit, hapja e kasetës dhe transporti i djegores. Në fund kryhej asgjësimi i djegores dhe magazinimi i të gjitha mbeturinave. E gjitha kjo realizohej në harkun kohor nga 40-80 minuta. Ndërsa në Gërdec, fëmijët arrinin të çmontonin një predhë jashtë kushteve të sigurisë teknike në një hark kohor të 10-15 minutave. Krahas uzinës mekanike të Gramshit, prokuroria ka kërkuar informacion në uzinën e Mjekësit në qytetin e Elbasanit. Kjo uzinë ka kthyer përgjigje se "tek ne nuk janë bërë eksperimentime".