Autori i Lajmit: Lili Saraci






Është miratuar ditën e djeshme vendimi për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist. Gazeta “Ballkan” ka siguruar listë pagesën e radhës për ish- të përndjekurit politikë. Janë 70 emra të ish- të përndjekurve që do të dëmshpërblehen dhe që duke nisur nga sot ata duhet të paraqiten në bankat ku kanë hapur llogaritë e tyre bankare, për të tërhequr parat. Sipas drejtorit Lek Hajdari, bëhet e ditur se qytetarët duhe të paraqitën në banka për të tërhequr paratë dhe se bankat do të vihen në dispozicion të tyre. Ndër të tjera, Lek Hajdari ka pohuar se asnjë qytetar nuk mund të dëmshpërblehet, nëse emri i tij nuk është i listuar me vendim të Këshillit të Ministrave, mbasi janë kufizimet ligjore të tilla dhe pikërisht ligji 9831. dt.12.11.07, i ndryshuar në nenin 12, ku thuhet ndër të tjera se dëmshpërblimi gjatë fazës së parë të mos jepet më i madh se 1.000.000 lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet deri në marrjen e plotë të dëmshpërblimit, për të gjithë të dënuarit dhe familjarët e viktimave. Pra sipas Hajdarit, asnjë ish- i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi. Ndër të tjera ai ka shpjeguar se çdo person i listuar duhet të dorëzojë dokumentet korresponduese pranë Ministrisë së Financave. Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve do të realizohet nëpërmjet kësteve për tetë vjet ku shuma që ata do të marrin është 720 000 lekë të reja për çdo vit burg që ata kanë bërë. Buxheti që është alokuar për dëmshpërblimin e plotë të të përndjekurve, është 800 milionë USD, ku qeverisë i takon përkatësisht të shpenzojë 100 milionë USD në vit. Realizimi i këtij buxheti është bërë dhe do të vazhdojë që të bëhet nëpërmjet kredive të buta që ka marrë Ministria e Financave. Procesi i cili pritet të mbarojë për tetë vjet, mendohet që të dëmshpërblejë gjithsej 3198 persona, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin dhe kanë aplikuar për të marrë kompensimin. Të gjithë personat kanë dorëzuar dokumentacion të zgjeruar së bashku me dosjen që kanë pasur. Dhenia e parave në formë simbolike u bë pas një sërë premtimesh qeveritare, por edhe protestash nga ana e tyre. Sakaq, ish- të përndjekurit politikë protestojnë, pasi sipas tyre, në një vit të tërë vetëm 3 mijë vetë u dëmshpërblyen, kurse 22 mijë të tjerë nuk kanë marrë asnjë qindarke. Edhe në protestat e fundit, ish- të përndjekurit politikë, vijuan ankesat për padrejtësitë që, sipas tyre, po u bëhen sërish duke mos u zbatuar ligji.





Ja si duhet të veprojnë ish- të përndjekurit



Burimet zyrtare të Ministrisë pohuan se ish-të përndjekurit politikë do të përfitojnë 2 mijë lekë, për çdo ditë të kaluar në burg, spital psikiatrik, izolim apo hetuesi. Ndërsa për personat, të cilët janë ekzekutuar, familjarët e tyre do të përfitojnë një dëmshpërblim me vlerën e kompensimit të tetë viteve burg. Ndërkohë që, të dëbuarit, do të dëmshpërblehen me nga një mijë lekë për çdo ditë të kaluar në internim. Shuma e përfituar nga të prekurit nuk mund të jetë më shumë se 1 milion dhe më e vogël se 100 mijë lekë. Në qoftë se personi i dënuar nuk jeton më, dëmshpërblimi u ndahet familjarëve të tij në mënyrë të barabartë. Referuar Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë, janë plot 17500 ish-të persekutuar ata që presin të marrin dëmshpërblimin për çdo ditë të kaluar në burg apo internim. Çdo person që ka emrin në listën e publikuar, duhet të shkojë në llogarinë bankare që ka hapur dhe, në rast se personi ka vdekur, llogaria mund të hapet në emër të bashkëshortes apo të fëmijëve. Në këtë rast, familjarët duhet të bëjnë kujdes që, për të hapur llogarinë bankare, duhet që të paraqesin pranë sporteleve të bankave certifikatën e vdekjes së të afërmit të tyre dhe të vërtetojnë me dokumente se janë ata trashëgimtarët e ish-të dënuarit.





Ky lajm është publikuar: 13/04/2010