Saga e endjes së dosjes të grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi në dyert e Prokurorive dhe Gjykatave duket se mori sot fund, pasi Krimet e Rënda vendosën dënimin e tij me 14 vjet e 8 muaj burg.


Por gjykata nuk e dënoi Shullazin shkatërrim prone me eksploziv, vrasje dhe trafik droge, ndaj opozita nuk e sheh të larë siç duhet hesapin e tij me drejtësinë.


Në një reagim pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku nuk përfshihet asnjë prej këtyre veprave të lartpërmendura, PD thotë se është ulur dënimi ndaj këtij grupi kriminal pasi kanë mbështetjen e qeverisë Rama.


Sot gjykata dënoi bandën e Emiljano Shullazit, që u arrestua vetëm falë denoncimit dhe betejës së pandërprerë të PD, si dhe mbështetjes së SHBA.  Nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. Ata nuk do të ishin dënuar vetëm për gjobëvënie, por edhe për krime të tjera të rënda, që janë lënë pa zbuluar, pasi policia dhe drejtësia kanë mbyllur sytë. Kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme. Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emilano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore e qendrore. Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pa fituar plotësisht, thotë PD.


Ndërkohë, opozita kërkon që prapa hekurave të shkojë edhe deputeti i PD në qarkun e durrësit, Jurgis Çyrbja, për të cilin thonë se është anëtari me pushtet politik i bandës Shullazi.


Përgjimet e prokurorisë faktojnë se deputeti Jurgis Çyrbja ishte një anëtar aktiv i bandës së Shullazit dhe informonte bandën për hetimet e prokurorisë. Shqiptarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit? Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit? Drejtësia do të bëhet e plotë! Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit!, thuhet në reagimin e PD.


13 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)