Ndriçim Kulla 

Që At Zef Valentini, ishte një historian dhe albanolog i përmasave ndërkombëtare, përveç qarqeve akademike dhe dijetarëve të specializuar, besoj se është një gjë e njohur edhe për shumicën e lexuesit shqiptar. Po kështu njihet edhe qasja goxha vitale dhe gati unisore që autori arriti të ketë me gjuhën shqipe, në të gjitha dimensionet e saj: kërkimore, dokumentare, kulturore, letrare dhe lëvruese. Megjithatë, pasioni i tij më i gjallë për gjatë gjithë jetës dhe fusha shkencore e studimeve ku ai shpalosi gjithë erudicionin e vet të stërmadh ishte historia e Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja madhore që ai iu përvesh punës studimore nëpër rafte e arkiva bibliotekash, duke grumbulluar një sasi të bollshme dokumentesh të pabotuara, ose të botuara veç pjesërisht apo të mbetura në dorëshkrim. Qëllimi i tij kryesor ishte sistemimi në mënyrë të qartë i periudhave më të trazuara të historisë shqiptare, nëpërmjet sitës së një kontrolli të saktë të dokumentacionit. Për këtë arsye, ai ndërmori fushata të shpeshta kërkimesh arkivistike. Më 1939 shkon në Napoli, ku viziton Benedeto Kroçen, asokohe filozof me famë botërore, duke i kërkuar atij tregues shpjegimorë për Arkivin e Napolit dhe një letër rekomandimi për drejtorin e këtij arkivi. Madje, tregohet se ai s’u zmbraps së vazhduari kërkimet e tij si inspektor i Arkivit historik të Korfuzit më 1942, edhe pse gjatë shfletimit të materialeve i duheshin mjete të posaçme mbrojtëse nga infeksioni që mund t’i përhapte mortaja e një lloji të veçantë, që shkakton “lunga” të mëdha në trup e që mikrobin e saj mund ta mbajë të mbijetuar për shekuj të tërë.
Themelon pas vitit 1945 Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo dhe fillon që nga viti 1956 e deri në fund të jetës botimet e tij madhore për jetën dhe kodin zakonor të shqiptarëve, për aktet juridike shqiptare, në dy vëllime, dhe kryeveprën në 30 vëllime “Akte shqiptaro-venete shek XIV-XV”.
Për të gjitha këto arsye bota jonë kulturore (por paresishte ajo shtetërore) lipset t’i kushtojë nderimin dhe respektin e vet më unikal, këtij hulumtuesi të jashtëzakonshëm me ndërgjegje dashurore dhe shkencore për Shqipërinë, që ajo sot ka në dorë një material të bollshëm për të shkruar faqet më kryesore të historisë së vet, sidomos ato të periudhave të errëta të saj.
“Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhënë çështjes suaj mendjen dhe shpirtin e vet”. Këtë vlerësim merrte se kështu do të shprehej fare publikisht Papa Pauli VI, përpara mijëra të ftuarve ndërkombëtarë që merrnin pjesë në solemnitetin kremtues të kongresit kastriotian mbajtur, më 25 prill 1968 në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë të madh kombëtar.
Për plot 10 vjet nisa të punoj me projektin Valentini dhe me shumë punë dhe përpjekje vetëm në këta 4 vitet e fundit kjo punë arrin të bindë pushtetarët shqiptarë dhe ministrat përkatës të kulturës, duke filluar nga Arta Dade, e më pas Blendi Klosi e Bujar Leskaj, për të ndihmuar të paktën botimin e disa veprave që u mblodhën, seleksionuan, sistemuan, përkthyen e u bënë gati për botim. Nuk ka qenë e lehtë kjo aventurë, pasi duheshin kaluar shpesh ngarkesa personale dhe partiake, pse jo dhe ziliqare e ndërhyrje të fshehta, për të dalë sipër vetes dhe situatës. Por ajo që arriti të fitojë ishte materiali super-shkencor dhe i nivelit të lartë, që përfaqëson vepra e Valentinit dhe përgjegjshmëria e ministrave përkatës.
Për fat të keq, Atdheu ynë në vitet e trazuara të luftës e në vazhdim, tregoi – më e pakta – një shenjë të lartë mosmirënjohje ndaj një njeriu që me famën e krijuar nëpërmjet dy revistave që drejtoi dhe aktivitetit të stërmadh në fushën e Albanologjisë, kish arritur të përfaqësonte një nga majat më të larta në etikën dhe iluminimin e kulturës shqiptare të atij brezi të viteve ‘30-të, që u shfaq plot energji e vullnet përtëritës në skenën shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Nga mirëdashës dhe mirëbërës i kulturës sonë kombëtare, ai u shndërrua menjëherë në një armik të Atdheut, madje në njërin nga më të rrezikshmit. I shpëtuar, ndoshta falë intuitës së Koliqit, i cili duke parë përkeqësimin e gjendjes në Shqipëri, e dërgon të punojë në arkivat e Italisë, ai do të vazhdonte të kërkohej për vite të tëra e të procesohej vazhdimisht njëlloj si kriminelët e tjerë të luftës, si ai që “kish guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare apo si spiun i vjetër i SIM-it e Gestapo-s”.  Se si mund të klasifikohet kështu një njeri i tillë ndoshta është një mister, që s’do të zgjidhet kurrë, por e rëndësishme është që misteret e qëndrimeve ndaj figurës së tij të mos vazhdojnë edhe në vitet e demokracisë. E kjo për faktin se “dënimi” i tij  vazhdoi pa ndërprerje, jo vetëm në vitet e luftës, por deri në vitet e fundit të regjimit. Është me të vërtetë shtangës, por edhe e hidhur në thelbin e vet, që një autor i tillë i përmasave ndërkombëtare në Albanologji të mos ketë rrezatuar me gjithë fuqinë e diellit të tij shqiptardashës në hapësirat e ftohta kulturore dhe akademike të Shqipërisë përpara, por sidomos pas ‘90-ës. Si mund të ketë ndodhur vallë anashkalimi i një historiani me një famë të tillë? Ndaj, nuk duhet parë si e rastësishme që heshtja dhe ostracizmi i tij ka vijuar edhe në vitet e lirisë. Ndoshta metastaza dhe lobime të zgjatura të atij projekti famëkeq vazhdojnë të helmojnë ende dhe sot.
Me dëshirën e mirë dhe objektive për t’i përmirësuar gjërat në fushën e librit dhe sidomos librit albanologjik, u kërkua më tepër prej ministrit te mëparshëm Bujar Leskaj. Mirëpo, ka projekte e aktivitete me vlerë që u filluan me shumë devotshmëri prej ministrit Leskaj, që tani gjenden në amulli e heshtje të frikshme. Një shembull konkret është edhe ndërprerja e botimit të veprës së Valentinit prej ministrit Pango, për të cilën duhej të kishte entuziazëm dhe jo një refuzim të heshtur. Nuk arrin askush ta besojë e ta kuptojë padijen apo mosdashjen e një ndërmarrje të tillë nga ana e ministrit të sotëm të Kulturës? Por, as qeveria nuk duhet të shpëtojë nga njolla e turpit për një “dënim” të ri e ç’është më e keqja në kulm të lirisë, që po i kryhet aktualisht veprës së Zef Valentinit me mungesën e interesimit për të ndihmuar vepra të tilla albanologjike. 
Për të gjithë ata që merren me librin, shqyrtimi i vlerës së kërkuar për financim, të lë të kuptosh menjëherë që s’kemi të bëjmë aspak me një kërkesë fitimprurëse. Kriza që po kalon libri sot e bën krejt të pamundur botimin pa financim të librave të tillë specifikë, shkencorë, në një treg të vogël si Shqipëria, aq më shumë që botimi i veprave të tilla nuk mund të mendohen ndryshe veçse si projekte shtetërore në çdo vënd. Prandaj, shqetësimi është intelektual dhe i përgjegjshmërisë publike, paçka se në këtë pikë ai përkon edhe me një iniciativë private. 
I kemi kërkuar edhe më parë në një artikull para disa javësh, qeverisë dhe ministrisë përkatëse, mbrojtjen e librit të traditës, të historisë dhe gjithë dimensionit albanologjik, nga kriza e tregut dhe lënia e tij në dorë të “industrisë së kulturës”, si shprehje të krizës së frikshme që ka mbërthyer kulturën shqiptare. Ndoshta po e vëmë përsëri veten në skenë për një kauzë të vështirë, por që na jep atë ndjenjë përfaqësimi, vullneti shkencor dhe intelektual.
Projekti i ndaluar “Valentini”, i cili është një projekt i qartë albanologjik dhe mjaft i rëndësishëm për këtë vend, po na çon edhe një herë në fillesat e rihapjes së një problematike, në fillesat e një gjurme të çmuar për albanologjinë tonë, që synon të zbulojë e botojë, por që në këtë nismë të vet duhet të ketë pas vetes patjetër një vullnet të dukshëm politik. Ky vullnet mungon. Me këtë vullnet këto dije të fshehura, dikur të ndaluara mund të shkojnë shumë larg. Pa këtë, ato do të vazhdojnë të na befasojnë, por jo të bëjnë atë hop të madh cilësor që i takon historiografisë shqiptare dhe ndërgjegjes së saj nacionale, tashmë të zgjuar ndaj kësaj literature. Ajo që luhet është goxha themelore për të ardhmen ndaj rrugës së numërimit të turistëve që po bën ministri. Prandaj, kësaj emergjence duhet t’i përgjigjet një politikë ministeriore, e madje qeveritare.   
Dhe si provë e qartë e një vullneti të tillë, “hija” ku kërkon të zhytet Valentini, duhet të ndriçohet medoemos. “Dënimi” i tij dhe i dhjetëra veprave albanologjike nuk duhet të çohet deri në fund. Ajo s’duhet të ngelet “pre” e një nënçmimi të tillë flagrant nga institucionet si asnjë herë tjetër, as e skutave të egoizmit, qoftë intelektual e qoftë njerëzor. E kjo jo vetëm pse veprat që ai la pas, mund të na shërbejnë si një domethënie e sigurt në konjukturat e sotme gjeopolitike, por edhe pse është e një rëndësie jetike që shoqëria shqiptare ta kthejë kokën e ta shohë drejt e përballë këtë diell dashurie dhe erudicioni, të atij që mund të quhet pa pikë droje emblema e një albanologu të madh, por mbi të gjitha e një albanofili të jashtëzakonshëm.