Autori i Lajmit: red.
Ka lindur në Tiranë më 1930. Gjatë luftës, si pjesëmarrës në lëvizjen Nacional-Çlirimtare, arrestohet, torturohet dhe internohet në kampin nazist të Prishtinës. Bëhet anëtar i PKSH-së më 1947 dhe gjatë viteve 1950-53 punon si gazetar. Mbasi i drejton një letër KQ të PPSH-së, ku denoncon si të TURPSHËM arrestimin e shkrimtarit Kasëm Trebeshina, iu anulloua e drejta e studimit për në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, u përjashtua nga PPSH-ja dhe u internua në fshatin Shtyllas të Myzeqesë. Një rehabilitim i përkohshëm bëri të mundur, që Mehmeti të përfundonte Istitutin e Lartë Pedagogjik dhe të punësohej si arsimtar. Më 1961-shin boton romanin “Leka”, që u përkthye dhe në frëngjisht, por më 1964 dorëshkrimi i romanit “Shkrimtari” cilësohet nga censura si reaksionar dhe Mehmet Myftiu bie përsëri nën “darën” persekutuese. I hiqet e drejta e botimit dhe punon si cigareshitës për 26 vjet. Mbas vitit 1991 shkrimet e tij fillojnë të botohen përsëri, duke filluar me romanin “Shkrimtari”, disa fragmente të së cilit kemi zgjedhur për këtë antologji. Ka botuar gjithashtu: “Nënë Sudia: Tragjizmi i një dashurie ministri”, 1997; “Ese, poezi, dokumente të historisë”, 1999; “Në kërkim të identitetit”, 2000; “Zgjimi i ndërgjegjes”, 2002.

Fragmente të shkëputura nga romani “SHKRIMTARI”

Rrugës po mendonte për letrën që i kishte dërguar Hyseni Qeverisë Shqiptare, ku kishte kërkuar ta lejonin të largohej në Perëndim. Kjo kërkesë atij i ishte dukur e habitshme, krejt e paarsyeshme dhe e kishte këshilluar shokun mos ta dërgonte në asnjë mënyrë duke e paralajmëruar se mund të ndodhte dhe ndonjë e papritur, se edhe mund ta arrestonin. Hyseni kishte ngulur këmbë në të tijën duke qenë i bindur se ligjërisht nuk mund të merrnin asnjë masë administrative. Besniku kishte buzëqeshur hidhur dhe i kishte thënë se ligjet, Qeveria i zbatonte sipas interesit të vet. Pastaj i kishte kërkuar që ta shtynte dërgimin e letrës një javë. Shoku kishte pranuar…

Pasi Besniku nuk kishte mundur të bënte asgjë për të penguar përplasjen e Hysenit me shtetin, i kishte thënë që, nga ana e tij, ishte i lirë ta dërgonte letrën.

Kishte tri javë që Hyseni e kishte postuar letrën dhe nuk kishte ndodhur ndonjë gjë, prandaj dhe Besnikut i ishin larguar mendimet e këqija. Arriti në shtëpinë e shokut, hapi portën dhe si gjithmonë, thirri në derën e sallonit:

- Hys! O Hys!

Një hop s u dëgjua kush. Një heshtje e madhe mbretëronte në shtëpi. Pastaj dikush lëvizi në dhomën matanë. Dyshemeja kërciti. Sabrija u duk me fytyrë të vrarë. Ajo iu afrua ngadalë dhe pëshpëriti:

- Më trembe! Ç thirre kështu?!

Besniku buzëqeshi me dashamirësi dhe i foli:

- S e paskam ditur. Paske zemër pule. Po flije kështu?!… Më dukesh e përgjumur.

- Nuk flija, por hallet – psherëtiti ajo.

Besniku u merakos:

- Pse, ç ka ndodhur?

- S e di ti?! – u habit ajo.

- Jo… – tha Besniku duke ndjerë diçka të keqe.

- E arrestuan Hysenin … – tregoi ajo si në të qarë

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008