KB Kosova është dënuar me tri ndeshje pa praninë e shikuesve si nikoqir, pas sulmit ndaj gjyqtarëve në ndeshjen e Superligës, Kosova-Peja. Gjithashtu, vushtrriasit e humbin përballjen në tavolinë 20:0 dhe mbeten pa pikën e humbësit. Aspak më lehtë nuk kaloi as kryetari i Kosovës, Sabri Parduzi, i cili u dënua me 12 muaj ndalesë kryerje të detyrës apo të çdo aktiviteti zyrtar të FBK-së.


Nga Moral Pozhegu më 23 mars 2011 në ora 12:51

Klubi i basketbollit Kosova nga Vushtrria, e ka pësuar keq incidentin e së dielës, kur u sulmuan gjyqtarët e ndeshjes, në përballje me Pejën, në takimin e fundit të xhiros së 21-të të BKT Superligës së Kosovës në basketboll.



Pasi mblodhi raportin e vazhduesit të ndeshjes, Komisioni i Garave i FBK-së ka marrë vendimet e merituara për keqbërësit, në ndeshjen e cila u ndërpre nga treshja e gjyqtarëve, në çerekun e dytë.



Me këtë rast, Kosova është dënuar me tri ndeshje pa praninë e shikuesve si nikoqir, konform nenit 53 C/5 të propozicionit të garave. Gjithashtu, siç njofton Komisari i Garave të FBK-së, Nazmi Paçarada, ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Pejës regjistrohet me rezultat zyrtar 0:20 në të mirë të pejanëve, ndërsa Kosovës nuk i takon pika si humbës.



Gjithashtu, nga FBK’ja njoftojnë se pala e dënuar mund të ankohet ndaj vendimit të Komisionit të Garave në afat prej tre ditësh nga marrja e vendimit. Hiç më lehtë nuk shpëtoi as kryetari i lartë i KB Kosova, Sabri Parduzi.



Ai u dënua me 12 muaj ndalesë kryerje të detyrës apo të çdo aktiviteti zyrtar të FBK-së, pasi që ai, siç njofton FBK-ja, ka fyer, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht (e ka kapur për fyti) gjyqtarin e ndeshjes Xhelal Mumini, në dalje të zhveshtores. Periudha e dënimit të tij fillon më 22 mars (dje) dhe skadon më datën 22 mars të vitit tjetër.



Gjithçka kishte nisur me përfundimin e çerekut të dytë, te rezultati 34-46 në të mirë të Pejës, kur në fushën e lojës hyn një shikues i cili fizikisht e sulmoi gjyqtarin Daut Mehmeti.



Pas shkuarjes në zhveshtore dhe me komunikimin e gjyqtarëve, se konform rregullave të lojës ndeshja duhet të ndërpritet, pasojnë fyerje, kërcënime dhe në dalje të zhveshtores edhe kapja për fyti e gjyqtarit tjetër, Xhelal Mumini nga ana e kryetarit të Kosovës, Sabri Parduzi. Ky rast i qiti hije të keqe basketbollit kosovar, i cili këtë sezon shquhej për korrektësi.