Njëzet e katër vjet më parë një shqiptar u dënua për dokumente false me 8 muaj burg. Por 62-vjeçari. i lindur në Shqipëri nuk dinte asgjë për dënimin deri në verën e viti 2017, kur ai filloi procedurat për të kërkuar nënshtetësinë italiane. Cuman Beleraj, i lirua tashmë nga akuzat prej Gjykatës së Apelit,  pas provave se në atë kohë kishte ndodhur një gabim.


Historia


Historia u ndoq nga avokati penal i Brindisit. Çështja  lidhet me historinë personale të Belerajt, një qytetar i lindur në Shqipëri, në Vlorë, 62 vjet më parë, i cili mbërriti në Itali në vitin 2002 me vizë shëndeti.


Avokati penal kërkoi nga Gjykata e Apelit të Leçes heqjen e dënimit, që datonte më 1 shkurt 1995, ndonëse në këtë periudhë shqiptari nuk kishte shkuar kurrë në Itali. Masën e dënimit, Beleraj e mësoi vetëm më 21 qershor 2017, kur ai filloi procedurën për të kërkuar njohjen e nënshtetësisë italiane, pasi kaloi më shumë se dhjetë vjet aty. “Kurrë më parë ai nuk ishte informuar jo vetëm për dënimin, por për vetë ekzistencën e çështjes penale kundër tij”, shpjegon avokati Mele.


Kontrolli në port


Çfarë ndodhi?  Avokati penal ka rindërtuar historinë në Gjykatën e Salentos, e cila në fund ka liruar shtetasin shqiptar nga dënimi. Çdo gjë nisi nga një sërë kontrollesh të kryer nga oficerët e zbatimit të ligjit në portin e Brindisit, gjatë mbërritjeve dhe largimeve të trageteve. Më 18 janar 1993, tre meshkuj, të lindur në Shqipëri, sapo dolën nga anija, ndalen në doganë. Midis tyre është një person i quajtur Cuman Beleraj. Të tre janë gjetur në posedim të dokumenteve false. Më saktësisht, viza e hyrjes në Itali dhe leja e qëndrimit ishin të rreme, sepse ato “nuk ishin lëshuar asnjëherë nga stacioni i policisë së Teramos”. Dokumentet konfiskohen së bashku me pasaportat dhe të tre, pasi është dhënë njoftimi në Ambasadën Shqiptare në Romë, nisen nga i njëjti port drejt Shqipërisë.


Seanca e gjyqit


Pas mbylljes së hetimeve, të tre shqiptarët dënohen në mungesë nga një Gjykatë në Brindizi me 9 muaj burg. Në seancën e asaj kohe askush nuk paraqitet në sallën e gjyqit. Koha kalon dhe dënimi bëhet definitiv sepse askush nuk e kundërshtoi atë brenda afateve të përcaktuara me ligj. Ky dënim bëhet pengesë për njohjen e shtetësisë italiane. Dhe kështu Beleraj zbulon se ai u gjet fajtor për mbërritjen në Itali me dokumente false.


Mbrojtja


Shqiptari kërkon një avokat dhe thotë atij të bëjë diçka për të provuar se nuk është i dënuar. Kjo në Brindizi nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Avokati penal në këtë pikë fillon një sërë hetimesh dhe zbulon se ndoshta në atë kohë ka pasur një gabim, sepse Beleraj (klienti i tij) ka lindur në Gjorm të Vlorës, një komunë e vogël dhe jo në Vlorë siç tregohet në dokumentet e sekuestruara atë kohë në portin e Brindizit. Beleraj gjithashtu  kurrë nuk ka jetuar në lagjen e quajtur “29 Nëntori”, siç tregohet nga të dhënat e dosjes se vitit 1995.


Fotografia


Jo vetëm këtë. Mele kërkon një kopje të pasaportës që u konfiskua në atë kohë, por mëson se dokumenti u shkatërrua më 28 maj 1995, “para se dënimi të bëhej i parevokueshëm”. Gjithsesi ekziston një fotokopje e mjaftueshme për të lejuar krahasimin e fotografive me dokumentet e rreme: “Duhet të përjashtohet që subjekti i dënuar është Beleraj”, shkruan avokati në Gjykatën e Apelit.


“Ndër të tjera, është e lehtë të imagjinohet se kushdo që tenton të hyjë në një vend të huaj ilegalisht, nuk përdor të dhënat e tij personale, por ato të një subjekti tjetër ose të shpikur nga imagjinata”, thekson avokati në arsyet përpara gjykatësve te Apelit. Përfundimi i avokatit penal mund të jetë vetëm një: “Nuk ka lidhje mes personit të dënuar dhe atij që është ndalur në port. Ishte një gabim i bërë nga autoritetet ligjzbautese.


Gazeta Shqip