Vendimi


Bardhok Gjini lëshoi një vërtetim se i kërkuari nga Italia, Gjergji Tushaj, ishte pajisur me patentë në vitin 1997-1998


I pandehuri - Pranoi faktin penal dhe pretendoi se shkresa nuk rezulton të jetë kryer me dashje apo me qëllim, por si rezultat i ngarkesës në punë dhe rutinës së nënshkrimeve ditore


Gjykata e Tiranës ka dënuar me kusht ish-drejtorin e Transportit Rrugor në Laç, i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Bardhok Gjini ka lëshuar disa vërtetime për shtetasin Gjergji Tushaj, i kërkuar nga drejtësia italiane. Në këto vërtetime thuhej se Tushaj, në vitin 1997 dhe 1998, gjatë kohës që dyshohej se kishte kryer disa vepra penale, ishte në Shqipëri, madje ishte pajisur edhe me patentë, të klasit B dhe C.


Gjini pranoi gjykimin e shkurtuar, ndryshe nga dy të pandehurit e tjerë Aleksandër Kolmarku dhe Gjergji Tushaj.


Sipas vendimit të gjykatës, një kopje të së cilës disponon edhe Shqip autoritetet italiane të drejtësisë kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare që të ekzekutojnë një letërporosi me objekt verifikimin e disa dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën Italiane nga shtetasi shqiptar, Gjok Tushaj. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, letërporosia është dërguar të ekzekutohet nga Prokuroria e Lezhës, e cila pasi ka verifikuar dokumentacionin ka përcjellë materialin në Prokurorinë e Përgjithshme.


Shtetasi shqiptar, Gjok Ndue Tushaj, me emër të ndryshuar Gjergji Nikola Tushaj është dënuar në shtetin italian sipas vendimit të datës 19.07.1999 me shtatë vjet burgim për veprat penale të Rrëmbimit të personit, Marrëdhënie seksuale me dhunë dhe Shfrytëzimit të prostitucionit. Pasi është nxjerrë urdhri i ekzekutimit të vendimit me burgim, shtetasi Gjok Tushaj ka paraqitur përpara autoriteteve kompetente italiane disa dokumente të lëshuara nga institucionet shqiptare, në bazë të së cilave rezultonte se shtetasi Gjok Tushaj ndodhej në Shqipëri në vitin 1997 – 1998, kohë kur sipas vendimit të dënimit të lëshuar nga Gjykata e Monzës, Itali ishin kryer veprat penale të sipërcituara. Mbi bazën e këtyre shkresave, autoritetet italiane të drejtësisë kanë vendosur revokimin e urdhrit të ekzekutimit të dënimit dhe njëkohësisht u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të Drejtësisë, nëpërmjet kërkesës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, që të verifikojnë faktet e pasqyruara në shkresat e paraqitura nga shtetasi Gjok Tushaj, përpara Gjykatës Italiane. Midis fakteve që kërkoheshin të verifikoheshin kërkohej edhe nëse shtetasi i mësipërm më datë 13.12.1997, ka marrë patentën e shoferit të klasit B dhe më datë 13.04.1998, ka marrë patentën e klasit C, thuhet në vendim. Ministria e Drejtësisë i ka dhënë rrugë kërkesës së autoriteteve italiane të drejtësisë dhe ka përcjellë letërporosinë për ekzekutim në Prokurorinë e Përgjithshme. Më tej, Prokuroria e Përgjithshme me shkresën e saj me nr. 532 prot. të datës 05.10.2011, e ka përcjellë këtë kërkesë të autoriteteve italiane, në Prokurorinë e Lezhës.


Me shkresën nr. 6282/1 prot. datë 16.04.2012, Prokuroria e Lezhës ka transmetuar aktet në ekzekutim të kërkesës për ndihmë juridike të Autoriteteve Italiane të Drejtësisë, akte të cilat midis të tjerash përmbanin edhe shkresën me nr.1642 prot. e datës 19.03.2013 e Prokurorisë së Lezhës drejtuar Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. Pasi janë shqyrtuar këto akte në Prokurorinë e Përgjithshme dhe janë kthyer në mënyrë të përsëritur në Prokurorinë e Lezhës me qëllim që letërporosia të ekzekutohej. Prokuroria e Lezhës ka ekzekutuar letërporosinë për herë të tretë, duke dërguar të njëjtat informacione në Prokurorinë e Përgjithshme, nga ku oficerët e Policisë Gjyqësore, pasi kanë kryer disa verifikime në lidhje me faktet e verifikuara kanë konstatuar se të dhënat e dërguara nga Prokuroria e Lezhës janë të falsifikuara, për këtë arsye është regjistruar procedimi penal për veprën penale të Falsifikimit të dokumenteve në ngarkim të të pandehurve.


Në dokumentet e Prokurorisë së Lezhës, është edhe një shkresë e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Laç, e cila rezulton të jetë firmosur nga i pandehuri Bardhok Gjini dhe vulosur me vulën origjinale të këtij institucioni. Nga këqyrja e kryer në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Laç, rezulton se shtetasi Gjok Tushaj nuk është pajisur me dëshmi aftësie të klasit B më datë 13.12.1997 dhe leje drejtimi të klasit C në datë 13.04.1998. Nga ky fakt rezulton se shkresa e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor me nr.1642/1 prot. e datës 21.03.2012 është e falsifikuar në përmbajtje. Ky dokument është nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Laç, i pandehuri Bardhok Gjini) dhe vula është e këtij institucioni. Nga këqyrja e dokumentacionit pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Laç ka rezultuar se përmbajtja e shkresës është e falsifikuar.


I pandehuri Bardhok Gjini i parashtroi gjykatës se pranohet fakti penal i sipërcituar, por jo bashkëpunimi me të pandehurit e tjerë. Dokumenti i nënshkruar nuk rezulton të jetë kryer me dashje apo me qëllim, por si rezultat i ngarkesës në punë dhe rutinës së nënshkrimeve ditore. Në fund gjykata e dënoi Gjinin për akuzat e falsifikimit të dokumenteve, me tetë muaj burg. Por, më pas këtë dënim ia konvertoi në dënim me kusht, me detyrimin që Gjini të përmbushë një punë në interes publik.


Ky shkrim Dënohet me kusht ish-drejtori i Transportit Rrugor në Laç për falsifikim dokumentesh u publikua me pare te Gazeta SHQIP.