Skandali i denoncuar në Fiks Fare për guroret në malin e Tomorrit ka çuar atje vetë ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.


Menjëherë dikasteri në fjalë ka gjobitur 12 subjektet që operojnë në këtë zonë dhe ka nisur procedurat për revokimin e liçencave të tyre. Masat janë marrë pas inspektimit të një grupi pune në terren, që është kryesuar nga vetë ministri Klosi.


Pas denoncimit në emisionin Fiks Fare, ne po inspektojmë të gjithë zonën për masakrën që është kryer nga subjektet private dhe kemi vendosur gjoba për të gjithë shkelësit, ndërkohë që do të revokohen lejet. Po ashtu do të forcohen prcedurat për rinovimin e lejeve për këto subjekte dhe të tjera që nuk respektojnë kontratat, deklaroi Klosi.


Ministri paralajmëroi se aksioni do të shtrihet edhe në zona të tjera. Ne do të kryejmë inspektime që brenda disa muajve të evidentojmë të gjitha rastet, ku subjektet private për pasurimin e tyre kanë shkatërruar pasurinë kombëtare, tha Klosi.


Inspektoriati i Mjedisit po verifikon në terren dosjet e subjekteve që operojnë në malin e Tomorrit dhe zonën e mbrojtur të Dëvrisë.


Fiks Fare denoncoi shkatërrimin e Parkut Kombëtar të Tomorit, ku lejet për shfrytëzimin e pllakave të gurit janë në kundërshtim me ligjin, pasi cënojnë kufirin e parkut dhe kanë shkatërruar fondin kullotor.


Sipas ligjit, këto gurore duhet të jenë mbi 200 metra larg kufirit, por ato janë ngjitur me parkun, madje ka punime edhe brenda parkut. Ndërkohë, guroret kanë dëmtuar rëndë ujësjellësin e Bogovës, që furnizon Poliçanin, Beratin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën.


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)