TIRANE – Një i moshuar gjeti vdekjen e menjëhershme paraditen e djeshme, teksa u përplas nga treni i linjës Tiranë-Durrës, në afërsi të stacionit hekurudhor të Vorës. Ngjarja e rëndë fillimisht u hetua si aksident dhe, për këtë arsye, Policia e postës së Vorës shoqëroi edhe makinistin e trenit, i cili u mor në pyetje për disa orë për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Sipas Policisë, viktima është 75-vjeçari Fejat Cani, i cili u identifikua nëpërmjet dokumenteve të identifikimit. Fillimisht Policia e Tiranës është njoftuar në sallën operative rreth orës 10:15, për një aksident hekurudhor të ndodhur në afërsi të Vorës, ku njoftohej se një person ishte përplasur nga treni. Në vendin e ngjarjes shkuan dhjetëra forca policie, që bënë të mundur identifikimin e viktimës e më pas transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore. Gjithashtu pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, u shoqërua makinisti i trenit e ndihmësi i tij, si dhe disa dëshmitarë që ndodheshin pranë hekurudhës në momentin kur ndodhi ngjarja. Gjatë deklarimeve u mësua se ngjarja nuk ishte një aksident apo pakujdesi e makinistit. Sipas dëshmitarëve dhe personave të shoqëruar, rezultoi që i moshuari i ka dalë përpara trenit qëllimisht, kur lokomotiva po afrohej në stacionin e Vorës. Në këtë mënyrë makinisti nuk ka pasur kohë as të frenojë dhe as ti binte borisë. Ngjarja sipas tij ishte e qëllimshme dhe i moshuari është vetëvrarë. Viktima, sipas të dhënave që mblodhi Policia, ka dalë në stacion kohë para se aty të mbërrinte treni. Në mënyrë të qëllimshme, duke qenë koshient për pasojat, sipas dëshmitarëve i moshuari është hedhur mbi shina në momentin kur treni po afrohej drejt tij. Pas këtyre pohimeve nga dëshmitarët, Policia mori në pyetje edhe disa prej familjarëve të të moshuarit, të cilët treguan se Cani vuante prej kohësh nga skleroza e kohët e fundit edhe nga depresioni. Ata pranuan që ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme nga ana e tij, duke mos fajësuar makinistin e trenit. Policia tha se u procedua penalisht në gjendje të lirë makinisti i shoqëruar, derisa të sqarohen plotësisht rrethanat e ngjarjes.