Deputetët e rinj të Kuvendit që nuk kanë qenë subjekt i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të duhet të plotësojnë formularin sapo të fillojnë detyrën. Nga lista aktuale e deputetëve rezulton se këtë kusht e plotësojnë 55 prej tyre. Sipas detyrimit ligjor, ata duhet të plotësojnë deklaratën e pasurisë para fillimit të detyrës. Konkretisht, në Qarkun e Vlorës figurojnë subjekte të reja deklarimi Luiza Xhuvani, Eltar Deda dhe Fatmir Toçi nga Partia Socialiste. Nga kampi i djathtë është vetëm Kreshnik Çipi dhe Dashamir Tahiri. Në Qarkun e Beratit do të deklarojnë pasurinë rishtazi Fidel Ylli dhe Ermonela Velaj nga PS-ja, ndërsa Nasip Naço nga LSI-ja. E‘them Ruka është i vetmi deputet i ri i Qarkut të Gjirokastrës që përfshihet në këtë kategori. Në Qarkun e Korçës duhet ta deklarojnë Gjergji Papa, Ledina Aliolli dhe Ismail Hoxha nga PD-ja, ndërsa Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj dhe Olta Xhaçka nga PS-ja. Në Qarkun e Fierit përfshihen në këtë kategori deklaruesish të rinj emrat e Fatos Tushes, Ervin Koçit dhe Arben Çukos nga PS-ja, ndërsa Vasillaq Ngresi nga Partia Demokratike. Në Qarkun e Elbasanit deklarojnë pasurinë për herë të parë Rahim Çoka, Ilir Bejtja, Shegushe Ligori, Damian Gjiknuri dhe Skënder Hasa. Në Qarkun e Tiranës duhet të plotësojnë formularin e pasurisë menjëherë pas mandatimit si deputet Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Enkelejda Shkreli, Xhemal Qefalia, Dashamir Peza dhe Artan Gaci nga PS-ja. Në krahun tjetër deklaron si subjekt i ri i ILDKP-së Rajmonda Bulku. Shtatë deputetë të Qarkut të Durrësit duhet të plotësojnë formularin e pasurisë sapo të marrin detyrën. Ata janë Ylli Lama, Igli Cara, Rudina Seseri, Hazir Gashi, Gazmir Bizhga, Lefter Koka dhe Klodiana Spahiu. Në Qarkun e Lezhës futen si subjekte të rinj deklarimi Mark Marku, Pavlina Marku, Rajmond Hoxha, Gjok Jaku, Gjovalin Kadelli dhe Armando Prenga. Flamur Noka dhe Asllan Dogjani janë dy deputetët e Qarkut të Kukësit që hyjnë në Parlament për herë të parë. Në Qarkun e Shkodrës janë pesë deputetë të rinj që kanë detyrim të deklarojnë pasurinë para marrjes së detyrës, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Ilir Beqja, Ndue Kola dhe Astrit Beci. Sipas ligjit, mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive: a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat; b) nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas përcaktimit të nenit 11 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil"; c) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, të njësive bashkiake dhe të komunave; ç) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; d) prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve; dh) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike; e) drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe shefat e sektorëve, (komisariateve) në qendër, rrethe e rajone, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave; f) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë; g) drejtuesit e të gjitha niveleve të KRRT-ve; gj) zyrtarët që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta; h) drejtuesit e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe mesatarisht me më shumë se 50 punëtorë. Kuvendi, me propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera të paparashikuara në këtë ligj.





Ligji





Çfarë deklarojnë



subjektet e kontrollit





Subjektet e përcaktuara në ligj detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive, burimet e krijimit të tyre, si edhe të detyrimeve financiare. Ata deklarojnë: a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to; b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë; c) sendet me vlerë të veçantë mbi 5 000 dollarë amerikanë; ç) vlerën e aksioneve të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim; d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj; dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj; e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale; ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.







Refuzimi





Penalizimet që përcakton



ligji për refuzimin





Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i përgjithshëm, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë. Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur ose nga ata me imunitet, inspektori i përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe, kur është rasti, edhe organin epror të personit. Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, inspektori i përgjithshëm detyrohet t‘i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.