Një ndeshje më vete kishte edhe në tribunën VIP. E kush tjetër mund të bëhej personazh, përveç deputetit karizmatik të Peqinit, Dashnor Sula. Minutat e para për të ishin të qeta, ashtu si edhe loja. Por kjo zgjati paksa. Sepse, deputeti shpërtheu pak minuta para fundit të pjesës së parë. Nga këtu, e deri në fund, Sula kishte në gojë vetëm një emër: “Lenci”. Bëhej fjalë për kapitenin e Shkumbinit, Lorenc Pashja. “Foli more atij Lencit, se po luan sikur ka lepurin në bark”, iu drejtua Sula shefit të klubit, Astrit Isaji, në mënyrë që ky i fundit t’ia përcillte fjalët kapitenit. Shefi i policisë, Gjergji Jorgo, thumbon deputetin. “Sot je i qetë, por gjithsesi pesë policë t’i kam vënë aty afër, që të të mbajnë”, i thotë ai. Sula e kalon këtë moment me të qeshur. Nis pjesa e dytë. Përsëri nga goja e deputetit del vetëm një emër: “Lenci”. Gjatë kësaj pjese, ai u ul në krah të presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj. Këtë herë, për t’i përcjellë fjalët kapitenit, Sula i drejtohet trajnerit Përparim Daiu. Ky i fundit nuk ia përton përgjigjen: “O Dash, po unë nuk kam altoparlant”. Gjithçka mbyllet, por këtë herë me festë.