Armand Bajrami

Firma ndërtuese në emër të Hazir Gashit, deputetit të PS-së në Durrës, ka ndërtuar një objekt mbi një nga trojet që rezultojnë në pronësi të Lulzim Berishës, i akuzuar si kreu i "bandës së Durrësit". Bëhet fjalë për një nga objektet që "preket" nga kërkesa e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në gjykatë për konfiskimin e pronave të Lulzim Berishës. Hazir Gashi, i cili arriti të fitojë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit, është palë e tretë në procesin e konfiskimit të pronave të të dyshuarit si kreu i "bandës", si pasojë e një kontrate që ka pasur me një nga anëtarët e familjes Berisha. Ndërsa emri i Gashit ishte prezantuar edhe në seanca të tjera, burime pranë Prokurorisë bënë të ditur se bëhet fjalë për të njëjtin person, i cili pak ditë më parë fitoi mandatin e deputetit në Durrës. Seanca e djeshme në Gjykatën për Krimet e Rënda, në ngarkim të Lulzim Berishës, nuk u zhvillua për shkak të mungesës së dy prej avokatëve mbrojtës të palëve të treta, mes të cilëve edhe avokati mbrojtës i Gashit.
KONTRATA
Burime pranë organit të akuzës pohuan se bëhet fjalë për një kontratë ligjore mes Hazir Gashit, në cilësinë e drejtuesit ligjor të një firme ndërtimi dhe personit të tretë në proces, L.Berisha në mars të vitit 2006. Sipas kontratës, shoqëria nën drejtimin e Gashit do të ndërtonte një objekt, pallat, mbi një truall në lagjen nr.17 të Durrësit. Në kontratë parashikohej që L. Berisha do të përfitonte 25 për qind të objektit të ndërtuar mbi këtë truall. "Sipas kontratës së sipërmarrjes, datë 15.02.2006, e lidhur para noteres Aida Spahiu, Durrës, mes palëve; sipërmarrësit: Shoqëria e ndërtimit "DRANOVA" sh.p.k me drejtues ligjor shtetasin Hazir Gashi dhe porositëses L. Berisha, sipas së cilës personi i tretë L. Berisha do të përfitoje 25% të objektit të ndërtuar mbi pasurinë truall me sip. 3300 metër katrorë, e ndodhur në lagjen nr.17 të qytetit të Durrësit", thuhej në pretencën e Prokurorisë për konfiskimin e pronave të Berishës.
KONFISKIMI
Rreth 2 muaj më parë, Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi Gjykatës konfiskimin e mijëra metër katrorëve tokë, dhjetëra apartamenteve dhe pasurive të tjera të paluajtshme në pronësi të Lulzim Berishës, i pandehur në procesin gjyqësor të "bandës së Durrësit". Sipas organit të akuzës, këto janë pasuri që i përkasin të pandehurit Berisha, ose familjarëve të tij (si persona të tretë) janë siguruar nëpërmjet veprimtarive kriminale dhe të jashtëligjshme. Organi i hetimit kërkoi nga gjykata konfiskimin e rreth 1734 metër katrorë sipërfaqe truall, 33 apartamente, 1 dyqan, 23 garazhe automjetesh, objekte këto të ndodhura në Durrës si dhe një automjet "BMV" X5.            re.kr


Mungesa e avokatëve
Ndërsa dje duhet të paraqiteshin para gjykatës konkluzionet e mbrojtjes, seanca dështoi për shkak të mungesës së avokatëve. Konkluzionet e akuzës u "servirën" për gjykatën në 28 maj të këtij viti, ndërsa tre seancat e radhës janë shtyrë për të njëjtën arsye. Njëkohësisht, problemet në "radhët" e avokatëve kanë dështuar seancë pas seance edhe gjyqin tjetër të Lulëzim Berishës tek Krimet e Rënda, atë të "bandës së Durrësit".