Autori i Lajmit: red.
Quhet “Rana e Hedhun”, pasi aty rëra (rana në gegënisht) është me bollëk jo vetëm në breg të detit, por ka mbuluar dhe një sipërfaqe të madhe të malit të Rrencit, përgjatë vijës bregdetare Shëngjin-Velipojë. Rreth 3- 4 kilometra larg Shëngjinit, Rana e Hedhun një plazh ende i pashfrytëzuar ka qenë zonë ushtarake në vitet e monizimit dhe si i tillë një “një mollë e ndaluar” për pushuesit. “Rana e Hedhun, nga Shëngjini deri në afërsi të Velipojës pranë fshatit Rrjoll, shtrihet në një vijë bregdetare me gjatësi rreth 8 kilometra. E gjitha kjo vijë bregdetare është e pashfrytëzuar, një dhuratë fantastike e natyrës”, thotë për ATSH-në nënkryetari i komunës Shëngjin, Gjovalin Maklaj. Shumë turistë të huaj që kanë vizituar plazhin që shtrihet rrëzë Malit të Rrencit, siç tregon nënkryetari Maklaj kanë shprehur habi se në Evropë paska ende zona të virgjëra. E quan fat të madh faktin që tek Rana e Hedhun nuk ka mundur të ndërhyjë dora e njeriut, pasi virgjëria e kësaj zone do të thotë shumë për të ardhmen e saj. Aty nuk ka asnjë lloj ndërtimi, as dhe një tullë nuk gjendet aty. “Është tërësisht e pashfrytëzuar me perspektiva të mëdha në të ardhmen, por ndërhyrja duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe shumë e studiuar, për arsye se aty ndodhet çdo dhuratë e natyrës, duke filluar nga deti, rana e hedhur, uji dhe mali”, vijon nënkryetari i komunës. Por jo vetëm kaq. Zona ku shtrihet Rana e Hedhun ofron pozicione të favorshme me rryma të erërave, e preferuar nga pushuesit për të manovruar në det me mjete të ndryshme lundruese. Rana e Hedhun është pjesë e komunës së Shëngjinit dhe në në fakt deri tani aty nuk është bërë asnjë investim. “Deri tani, nuk e kemi pasur të përfshirë në studimin urbanistik, por një gjë e tillë është në planet e afërta të komunës, thotë nënkryetari i komunës duke këmbëngulur se duhet një studim shumë profesional, pasi kemi të bëjmë më një rast krejt të veçantë në vendin tonë, pse jo edhe jashtë Shqipërisë. Në planet e shpejta të komunës është ndërhyrja në aksin rrugor që lidh Shëngjinin me këtë pikë turistike, e cila deri tani është në kushte modeste. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet dhe sistemit të furnizimit me energji elektrike, ndriçimit të zonës dhe furnizimit me ujë të pijshëm, projekte nga të cilat do të përfitojnë edhe 50 mijë banorë të zonës.

Tek Rana e Hedhun

Pasi lë pas Shëngjinin dhe për 4 kilometra përshkon me autoveturë një rrugë jo fort të mirë, po ku dallohen tentativa për mirëmbajtjen e saj, ndesh bukurinë që të ofron mjedisi bregdetar, uji, rëra, pishat e larta, dhe mali plot gjelbërim. Dallohen qartë dhe tunelet dhe elemente të tjerë të ushtrisë që kanë shërbyer këndej për vite me radhë. Në rrugëtimin drejt Ranës së Hedhun ndeshesh me grupe sporadike pushuesish, të sistemuar përgjatë bregut. Janë sistemuar kryesisht tek Rana e Vogël, një miniplazh rreth një kilometër pa mbërritur tek Rana e Hedhun. Prej aty, një pyll i dendur me pisha, ku edhe shpend specie të veçanta. Automjeti nuk mund të ecë më, pasi pengohet nga një breg i tërë më rërë kristal. Prej aty, Rana e Hedhun duket qartë. Të duket se e ke krejt afër, por kur e merr bregun në këmbë sahati që ke me vete të tregon se ka kaluar mbi 60 minuta, që sidoqoftë janë të mrekullueshme dhe të mahnitshme për atë që e përjeton nga afër. Banorë të hershëm të Shëngjinit tregojnë se nga të parët e tyre kanë mësuar se Rana e Hedhun ekziston prej shekujsh në këtë zonë, dhe sipas tyre, një gjë e tillë është formuar nga erërat e shumta që e përshkojnë atë, rryma të cilat janë të shumëllojshme. Një fenomen i tillë me siguri që ka bërë që rëra të ngjitet pas shpatit të malit, duke krjuar atë shtresë dhe trashësi në një lartësi që varion nga 50-100 metër në drejtim të malit. Përgjatë bregut, tek- tuk mund të shohësh ndonjë shenjë këmbësh që mund të ketë kaluar më parë dhe ndonjë send spontan që deti mund ta ketë nxjerrë në breg nga anijet që qarkullojmë në këto anë. “Rana e Hedhun” mund të quhet në një farë mënyre kufiri mes Shëngjinit dhe Velipojës, dy komunave që zotërojnë dy perla të mahnitshme të bregdetit shqiptar. Prej aty duke qartë fshati Rrjoll, krejt afër Ranës së Hedhun, dhe pak më tej spikat plazhi i Velipojës. Përmirësimi i infrastrukturës së dy plazheve është përfshirë në një projekt të qeverisë shqiptare, përmes të cilit synohet një aks rrugor që nis nga hyrja e qytetit të Lezhës duke u spostuar në të majtë drejt Shëngjinit e për të vijuar përmes malit të Rrencit buzë bregdetit për nga Rana e Hedhun në Velipojë dhe më pas me destinacion Ulqinin e Malit të Zi. Qetësinë e peisazhit e prish mbërritja e dy skafeve të vogla, nga të cilët zbresin disa vizitorë që duket se i ka tërhequr plazhi i Ranës së Hedhun. Nga biseda mësojnë se janë emigrantë të cilët së bashku me fëmijët kanë ardhur me pushime në atdhe dhe kanë dëgjuar për këtë plazh të veçantë. Me të rinjtë tentojnë të ngjiten ne faqen e malit të Rencit, e mbuluar tërësisht me një shtresë të trashë rëre. Antonio, një futbollist 17 vjeçar i Vllaznisë, arrin diku më lart. E pasi na përshëndet me dorë, sikur të ishte alpinist, zbret me shpejtësi nëpër rërë, nga pjerrtësia e faqes së malit, dhe na sjellë disa fiq dhe shegë të egra që i kishte këputur atje sipër. Si mund të jetë krijuar ky mal me rërë që vendalijtë e kanë emëruar “Rana e Hedhun”? Një mister që askush nuk merrë përsipër ta shpjegojë me kompetencë, por që përgjithësisht, të gjithë thonë se rrymat e erës, përplasja e tyre gjithëvjetore ka krijuar këtë fenomen kaq interesant.



Gaspër Marku (ATA)

Ky lajm është publikuar: 10/08/2009