Grupi vjen para gjithçkaje. Vijojnë të mbeten të mbyllura dyert për sulmuesin Karim Benzema. Didië Deshamp, gjatë shpalljes së listës së lojtarëve të grumbulluar për takimet e ardhshme të kombëtares franceze, ka kritikuar ashpër sjelljen në rrjetet sociale të sulmuesit të Realit, i cili i kishte bërë një like në Instagram një fotomontazhi ku driblonte pikërisht trajnerin e kombëtares së Francës.


Reperi francez Booba, kishte postuar në Instagram një fotomontazh të lëvizjes së bukur të Benzemasë kundër Atletiko Madridit dhe driblimin në vijën fundore me tre kundërshtarë: në foto ama, ishin fytyrat e lojtarëve të Atletikos të zëvendësuar nga ato të Deshampit, Zhirudit (në kombëtare në vend të Benzemasë) dhe ish-kryeministrit francez Valls (që kishte kritikuar qëndrimin e qendërsulmuesit). Në atë foto, mes shumë likeve ishte edhe ai i Benzemasë.


Në këtë mënyrë, replika e Deshampit nuk mungoi: Është patetik. Sa i takon aspektit futbollistik, kombëtarja franceze është ndërtuar para Europianit të fundit, është konsoliduar si grup dhe arriti në finale, – tha tekniku. Dhe do të vazhdojë të jetë kështu edhe tani në eliminatoret e Botërorit. Në një grup ka karakteristika për tu respektuar: ekuilibër e harmoni.


Franca do të luajë dy ndeshje miqësore, me 2 qershor ndaj Paraguajit dhe me 13 kundër Anglisë, ndërsa me 9 qershor do të sfidojë Suedinë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit të Rusisë.


18 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)