Alban Voda, ish-komandoja, që paraditen e së dielës kreu krimin makabër ndaj bashkëfshatarit të tij në fshatin Uji i Mirë në bashkinë e Këlcyrës, ka shfaqur halucinacione serioze gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.


Burime të Top Channel, janë shprehur se 30-vjeçari Voda, ka deklaruar se viktima së cilës i preu kokën, kishte dashur ta mbyste para disa vitesh me një kokërr ulliri.


Dëshmi kjo e cila tregon situatën e rënduar psikike të ish-ushtarakut. Për këtë arsye, ai do ti nënshtrohet një ekspertimi psikiatrik për të përcaktuar shkallën e përgjegjshmërisë.


Alban Voda, referuar edhe dëshmive të banorëve të zonës, ka shfaqur probleme të shëndetit mendor pasi ishte larguar me kërkesën e tij nga Forcat e Armatosura. Gjatë viteve 2009-2012, që i ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ka marrë pjesë në dy misione, në Kabul dhe Herat dhe pas përfundimit të misioneve është larguar nga radhët e ushtrisë për tu mbyllur në vetvete dhe duke shmangur çdo shoqërim apo komunikim me njerëzit.


Këtë problematike të ushtarëve që marrin pjesë në misionet në Lindjen e Mesme e ka pranuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, sipas të cilës, një problematikë e tillë është prezente edhe në ushtritë e vendeve të tjera të NATO-s.


Me gjithë trajnimin dhe trajtimin edhe psikologjik që u bëhen këtyre ushtarëve, Kodheli pranon se duhet bërë më shumë nisur edhe nga ngjarje të tilla mjaft të rënda.


Ne i trajtojmë sa janë në radhët e FA, ndërsa më pas nuk mundemi pasi nuk jemi Ministria e Punëve Sociale. Me gjithë aplikimin e kritereve të rrepta të pranimit, ngjarje të tilla tregojnë se duhet të bëjmë akoma më shumë në mënyrën e selektimin, tha ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.


6 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH