I penduari i Bandës së Durrësit filloi rrëfimin e dëshmisë së tij tri ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dëshmia u ndërpre për shkak të reagimeve të avokatëve në seancë. Gazeta “Panorama” publikon sot vazhdimin e dëshmisë së Adriatik Colit. Ai ka rrëfyer se si iku nga Shqipëria në Itali dy ditë pas vrasjes së Ilir Koldashit, në muajin tetor 2005. Coli pranon se ka qenë bashkautor, por më pas mësoi se në Itali e kishin ndjekur persona që donin ta vrisnin. Në këtë kohë vendos me vullnetin e tij të lirë, të kthehet në Shqipëri dhe të paraqitet para organeve të drejtësisë për të deklaruar gjithçka dinte lidhur me vrasjen e shtetasit Ilir Koldashi, si dhe gjithë aktivitetin kriminal të grupeve kriminale të qytetit të Durrësit, në të cilat edhe ai ka qenë pjesë.

Në muajin dhjetor të vitit 1997, unë u ktheva në Shqipëri, pasi më ktheu policia gjermane. Kur u ktheva në shtëpi, përballë banesës time kishte ardhur për të jetuar një familje e re. Pjesëtari i kësaj familje ishte shtetasi Lulëzim Berisha, i moshës rreth 35 vjeç. Unë këtë shtetas e njihja. Si rezultat i fqinjësisë ne krijuam shoqëri me njëri-tjetrin, e cila u forcua pasi Lulin e qëlloi me pistoletë Festim Qoli, të cilin e thërrisnin “Feste”. Kjo ngjarje ka ndodhur në verë, ndoshta në vitin 1998, tek lokali “Xhorxhit të Nores” që ndodhet në afërsi të Nish Gomës së vjetër në Durrës. Nga Luli dhe persona të tjerë kam mësuar se së bashku me Festen, atë ditë që u qëllua Luli ka qenë edhe K.P. Të dy këto shtetas kanë qëlluar ndaj Lulit. Edhe Luli i kishte qëlluar këta të dy me pistoletë, po nuk i kishte goditur. Unë kam mësuar se shkaku i përplasjes me armë midis Festes dhe Lulit ishte banal. Nga mesi i verës të vitit 1998, Luli filloi ndërtimin e një shtëpie në një truall të cilin e zuri pa leje, afër shtëpisë së kunatit të tij, Plarent Dervishi. Në atë kohë, me Lulin shoqëroheshin edhe shtetasit Plarent Dervishi, Redi, vëllai i Plarentit dhe Julian Meçaj. Unë e ndihmoja Lulin për ndërtimin e shtëpisë, duke porositur në emër të Lulit materiale për ndërtimin e shtëpisë.
Në atë kohë, Lulëzim Berisha kishte para të shumta në dorë, pasi këtë e shikoja nga mënyra se si blinte materialet e ndërtimit për shtëpinë e tij. Në vitin 1994, Luli ka qenë në Rimini dhe erdhi në Monza me një femër që punonte si prostitutë dhe ishte nga veriu. Përveç parave që Luli kishte nxjerrë nga ajo, në kohën që po ndërtonte shtëpinë, unë mësova që ai merrej me transportimin e drogës në drejtim të Italisë. Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikovë tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishin, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar Tan Sallaku dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin “Torra”, emri i vërtetë është I.N., me banim në Shkozet. Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha hajde në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu. Ata po bisedonin me njëri-tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, tek një lokal i njohur. Luli më tha që do takosh një shtetas me emrin Geri, mbiemrin nuk ia di. Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t`i marrësh makinën dhe do ta sjellësh në Spitallë. Unë ashtu bëra. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time. Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit dhe po bisedonin dhe po bënin plane si të qëllonin Tan Sallakun. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës “7 nëntori” dhe çuan një person që ta ruante dhe t`i lajmëronte kur Tani të shkonte atje.
Rreth orës 19:30–20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur tek lokali. Ata hipën në makinën “BMW”, që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhunga. Plarenti kishte një armë “Skorpions”, Klodi kishte pistoletë edhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur Torra dhe Gim Rexhepi. Pas një jave, Dash Sallaku dhe Marsel Sotiri, i cili ishte shoku i ngushtë i Dashit si dhe Arjan Paja, i cili kishte ardhur nga Italia, pasi e kishte thirrur Marseli për këtë rast, filluan të lëviznin nëpër Durrës për të qëlluar Lulin. Ata po i ruanin dhe ishin vendosur për rreth shtëpisë së Plarentit. Një nga këto ditë doli Redi, vëllai i Plarentit nga shtëpia rreth mesditës, ndërkohë unë isha te shtëpia me Plarentin, Lulin dhe familjarët e tyre. Në momentin që po kthehej në shtëpi, afër hyrjes së pallatit i afrohet duke e gjuajtur me pistoletë Arjan Paja. Në këto momente, Redi ishte afër hyrjes dhe vrapon i përkulur dhe futet brenda shtëpisë dhe shpëton pa u goditur. Sa u fut në shtëpi, në dritaren e shtëpisë që shihte nga rruga u qëllua me kallash. Nga plumbat nuk u plagos asnjë. Ne nuk dolëm nga shtëpia dhe pak më vonë erdhi policia bëri veprimet dhe na pyeti kush qëlloi, por ne nuk treguam gjë dhe policia u largua. Unë pas gjysmë ore u largova për në shtëpinë time. Të nesërmen, Luli dhe Plarenti shkuan në Spitallë dhe u takuan me Klodin, ku i treguan ngjarjen dhe pas dy ditësh shkuan dhe u vendosën tek shtëpia e dajës së Lulit në Shkozet.

***
Mbas disa ditësh shkova në Shkozet, me kërkesë të Lulit dhe aty gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani. Aty ndenjën rreth 3 apo katër ditë dhe mora vesh që kishin plane për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror. Ia kishin frikën atij. Gjatë kësaj kohe, nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit në kodrën e Rrashbullit.
Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën dhe aty qëndruam deri në mesditë. Aty u morëm vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinën e doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës mori në telefon Juli dhe lajmëroi Lulin se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha hajde shpejt se po vjen. Lulzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip “Golf” duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën “Lancia” dhe të shkoja t`i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishte një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para. Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora “Lancia”-n dhe rrugës për tek Unaza rashë në një gropë me ujë, që ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh. Shtëpia ishte larg shinave rreth 20 metra. Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxori makinën e tij me të cilën tërhoqi “Lancia”-n, derisa e nxori nga gropa.
Dua të theksoj se para se të ikja, pashë pozicionin ku kishte ndaluar “Golfi”. Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri. Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Si rrjedhojë, ishte pozicion shumë i përshtatshëm për t`u bërë prita. Pasi pashë këtë vendosje, unë ika atje ku shpjegova më sipër. Pasi lashë makinën e prishur tek oborri, unë prita Lulin megjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin. Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Virion Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar në spital në Tiranë. Atë e kishte kapur një plumb në qafë dhe një tjetër në këmbë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli. Ai më tha: Si e humbe fare, që e fute makinën në ujë, po s`ka gjë se e kishe për herë të parë. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi. Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë: desha të kthehesha të qëlloja përsëri mbi Marselin, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë. Kujtova se ai kishte vdekur. Aty u diskutua se në makinën e Marselit kishte qenë edhe një kile kokainë, e vendosur në kroskotin e makinës si dhe 80 mijë marka. Po aty u diskutua sesi nuk arritën të vrisnin dot Marselin, si dhe ku i hodhën armët pas vrasjes. Ata treguan se armët i kishin hedhur në një kanal me ujë, i cili ishte afër makinës “Golf”.
Pas kësaj prite morëm vesh se Marseli u shpërngul dhe shkoi të jetonte në një shtëpi në plazh, ndërsa Luli, Plarenti, Iliri dhe Klodi rrinin gjithnjë bashkë. Ata jetonin në dy shtëpi, tek shtëpia e Plarentit dhe tek shtëpia e Klodit në Spitallë dhe nuk para dilnin në qytet se ruheshin. Kurse unë dilja vazhdimisht.
Unë në atë kohë përdorja “Lancën Tema”, që i kisha vënë targat e fuoristradës së Lulit.
Një ditë, nga fillimi ose mesi i nëntorit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time në një restorant. Pasi mbaruam së ngrëni, rreth orës 21.30, u nisa për të çuar të fejuarën në shtëpinë e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Në një moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një “Benz” i bardhë 240, i cili më lëshoi dritat e gjata dhe ishte 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje. Në momentin që makina lëshoi dritat e gjata u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2-3 metra larg meje pashë që shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën e mbuluar. E pashë vetëm si siluetë: ishte i dobët dhe i imët. Në atë moment unë pashë tek xhami i pasmë nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e të fejuarës dhe disa plumba më kapën tek gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. “Benz”-i i bardhë nuk ndaloi fare. Kur më qëlloi mua ngadalësoi shpejtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erion Lame. Vura re që edhe e fejuara ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë, “Lancia” kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen.
Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë se mua më kishte qëlluar Erjon Lame dhe A.S. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time pashë që aty ishte edhe Arben Paja, i cili shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me të, kur hëngrëm një drekë në Spitallë, dua të them që Paja ishte shumë shok me Ilir Xhungën.
***
Një ditë, gjatë verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi unë po bëja stërvitje me një shokun tim, tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen “Stani”, sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17.00, kur dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë, morëm taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty, pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç`kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë. Aty mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri dhe disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit, së bashku me Plarentin dhe Lulin. Aty u bisedua sesi kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullai, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë.
Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qera Plarenti, ndërsa Klodi e afroi në shoqëri Indritin. Gjatë takimeve tona, ne bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Muhabetet tona i drejtonin Luli dhe Klodi, por edhe ne futeshim në bisedë. Në atë kohë, çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në shtëpinë e tij.
Pas 6 muajsh, kur Klodi doli nga burgu dhe kishim filluar punën me drogë, Indritit të vogël filloi t‘i pëlqente vetja dhe kur shkëmbehej me Lulin, e shante nëpër dhëmbë dhe e shihte shtrembër. Një ditë, te muzeumi shkëmbehet Luli me Indrit Taullain dhe Indrit Dokle me Altinin. Indriti e shau nëpër dhëmbë dhe Luli e pa dhe ktheu makinën. Kur e arriti, hapi xhamin e makinës dhe i tha: Nuk është mirë të bëjmë fjalë me njëri-tjetrin se je i vogël. Indriti i kishte thënë se nuk të shava. Atë ditë u takuam në një lokal me Indritin e vogël, Klodi dhe Altini. Indriti i tregoi muhabetin dhe Klodi i tha se nuk është mirë të bëjmë fjalë me njëri-tjetrin se kemi ngrënë bukë bashkë dhe do qeshë dynjaja me ne. Pas 10 minutash ai tha: Çfarë ka ai, hajde shkojmë në shtëpi të marrim armët. Shkuam morëm pistoletat dhe filluam të kërkonim Lulin. Në një makinë hipën Klodi dhe Indriti dhe në makinën tjetër unë me Altinin për të gjetur Lulin nëpër Durrës. Duke zbritur për tek “Vollga”, pamë makinën e Lulit, një “Benz” i blinduar ngjyrë gri. Klodi e parakaloi dhe i tha që të ndalojë dhe ata ndaluan përballë shkallëve të një lokali. Aty zbritëm të gjithë nga makina. Luli ishte me Indrit Taullain dhe Julian Meçen, ndërsa ne ishim të armatosur të gjithë me pistoleta. Klodi doli jashtë dhe nuk foli fare dhe dërgoi të vëllanë të flasë me Lulin, si vëllai më i madh. Ai del dhe i thotë si është puna që e ke kap me Indritin. Luli i thotë: Thuaju atyre kalamajve të tu mos të ngacmojnë këta të mitë. Ai i thotë: Kalamaj ata nuk janë, por janë çuna që kanë lyer duart me gjak dhe po mora vesh ndonjë ngacmim tjetër, nuk ndahemi mirë me njëri-tjetrin. Ne u larguam. Klodi, të nesërmen pa Indrit Taullain tek lokali i Lulit, “C‘era una Volta”, i cili ishte vetëm në trotuar. Klodi zbriti nga makina dhe shkoi në këmbë dhe e kapi tek qafa Indritin. Duke e shtrënguar i thotë: “Se kena hëngër bukë bashkë, se e di se çfarë të bëj”. Indrit Taullai i thotë të hiqte dorën. U ndanë. Atë ditë, Klodi ka qenë me Altinin në makinë. Këtë muhabet unë e mora vesh nga Klodi. Pas 4-5 muajsh grupi i Lulit sikur forcohet. Fillojnë përsëri të shikoheshin me inat, zakonisht ngacmuesi ishte një i ardhur nga SHBA. Ne talleshim dhe qeshnim, duke i lënë të kuptohet se nuk kishte çfarë të na bënte neve.
Në darkë, unë shkova në shtëpi, gjithashtu edhe Klodi shkoi në shtëpi dhe bisedoi këtë punë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Shkëlqimi i thotë Klodit që nuk duhet të përplasej me Lul Berishën, pasi njeriu që e kishte nxitur është intrigë e gjallë. Në mëngjes u takuam në kafe me Klodin, i cili na tha se nuk bëhet gjë për vrasjen e Lul Berishës dhe na tregoi bisedën e bërë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Një javë përpara se të vritej Klodi, erdhi nga Italia një djalë nga lagjja e Klodit. Klodi njihej me të sepse ishin çuna lagjeje. Nga bisedat mes tyre ishte rënë dakord që të hapin së bashku një sallë lojërash për fëmijë “Gioco”. Gjatë këtyre ditëve, ai rrinte me ne. Ditën që është vrarë Klodi, ai ka përcjellë në Rinas rreth orës 13:00 një shtetas italian, që kishte ortak në fabrikën e prodhimit të çantave në Durrës. Rreth orës 14:00, Klodi më telefonoi dhe më thotë se i ishte prish makina në rrugën e Rinasit, duke ardhur për në Durrës dhe më tha që të shkoja ta merrja. Unë, së bashku me një kushëri të A.B., jemi nisur me makinën time tip “Benz” 2500 me targa DR 1635 me germë C ose D. Klodin e kemi takuar pak më larg se fabrika e tullave në Vorë. Klodi ka hipur në makinën time dhe ai kushëriri në makinën e Klodit dhe duke e rimorkiuar jemi kthyer në Durrës te fabrika e çantave. Pasi lamë Klodin te fabrika shkuam për ta rregulluar makinën në Shënavlash sa kalon mbi kalimin e autostradës. Blemë pjesët e këmbimit dhe e rregulluam makinën, ia dërguam Klodit rreth orës 19:00 të darkës. Aty i kujtova se kishim ndeshjen e futbollit në orën 20:00 në kalçeto dhe u ndamë që të takohemi atje. Në orës 20:00 ishim në kalçeto dhe kemi luajtur një orë futboll me disa çuna që kanë një biznes në afërsi të qendrës tregtare. Pas ndeshjes, e pyeta Klodin nëse ishte për kafe dhe ai u përgjigj se ishte i lodhur dhe u nis për në shtëpinë e tij, ndërsa unë shkova në shtëpinë time rreth orës 21:10 me makinën time. Klodi nga kalçeto u largua me makinën e tij që rregulluam atë ditë. Rreth orës 22:00, kur unë isha në shtëpi duke parë televizor më ka telefonuar Indrit Dokle dhe më ka thënë se ka bërë karambol Klodi me makinë. Më tha të shkoj tek Kirurgjia për t`u interesuar se ishte duke ardhur edhe ai. Indriti më telefonoi dhe menjëherë unë u vesha dhe me makinë shkova te spitali në Durrës, në Kirurgji, sipas fjalës së Indritit. Aty mora vesh se në Kirurgji ndodhej vetëm ai djali i ardhur nga Italia, ndërsa Klodin e kishin dërguar në Spitalin Ushtarak. Këto informacione i mora nga policia që gjendej aty. Menjëherë u nisa për në Spitalin Ushtarak, ku më thanë se ishte Klodi. Rrugës më mori Indriti dhe më pyeti nëse Klodi ishte në Spitalin e Durrësit apo jo. Unë iu përgjigja Indritit se Klodi ndodhej në Spitalin Ushtarak dhe se unë po shkoja në drejtim të tij. Indriti pas ndeshjes ishte nisur për në drejtim të Tiranës, ku ka edhe shtëpinë dhe këto telefonata po m`i bënte rrugës në kthim për në Durrës. Indriti për Klodin ishte informuar nga një person, i cili i kishte thënë se Klodi kishte bërë aksident. Kur vajta në Spitalin Ushtarak, aty gjeta Indritin, i cili më tha se Klodi kishte vdekur jo nga aksidenti, por e kishin vrarë me armë. Pas 10 minutash, aty erdhi një i njohur i Klodit, i cili na u përgjigj se e kishte vrarë Lul Berisha. Tek Spitali Ushtarak erdhi Altini, të cilin e lamë aty. Ndërsa unë dhe Indriti shkuam tek lokali në plazhin e Durrësit, për t`u qetësuar për ngjarjen.
vijon nesër


Nesër do lexoni

1. Indrit Dokle kërkon vrasës me pagesë për ekzekutimin e Lulzim Berishës në shenjë hakmarrje pas atentatit ndaj Klodian Saliut

2. Indrit Dokle u tregoi vrasësve me pagesë fotot e tij me Lul Berishën, që të njihnin objektivin e atentatit. U paguan 100 mijë euro për ekzekutimin 

3. Polici Rrugor dështon atentatin ndaj kapos së Bandës së Durrësit Lulzim Berisha

4. Pagesa 150 mijë euro për atentatin e dytë ndaj Lulzim Berishës, i penduari: Paratë i fituam nga trafikimi i 20 kileve  heroinë nga Kosova në Itali