Për gati 5 orë me radhë, biznesmeni që kallëzoi për gjobëvënie Shullazin dhe 4 të bashkëpandehurit e tij, iu përgjigj pyetjeve të palëve në proces.


Ai rrëfeu si kishte kërkuar drejtësi te Shullazi për betejën gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel Vollgës dhe më tej për pikën e kthesës, ku u kërcënua dhe gjobit prej tij. Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, u prit dje në sallën e gjyqit nga një vështrim shpues i të pandehurit Shullazi.


Më tej ai u bombardua me pyetje nga i pandehuri, i cili hera-herës nuk kurseu ironinë ndaj dëshmitarit. Për shkak të përfundimit të orarit zyrtar të punës në gjykatë, dëshmia e tij u ndërpre, për të vijuar në seancën e 27 qershorit. Gazeta Panorama zbardh sot të plotë dëshminë e dhënë në sallën e gjyqit nga Ylvi Beqja.


DO GJEJA DREJTESI TE SHULLAZI


Avokat Vladimir Meçi: Aktualisht jeni nën ndonjë procedim penal?


Beqja: Jo. Ndërhyn prokurori: Prokuroria e Durrësit po e heton për akuzën e pastrimit të parave. Çështja i ka kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe është e lidhur me këtë çështje që po gjykojmë.


Avokati: A jeni pyetur në Prokurorinë e Durrësit?


Beqja: Jo.


Avokati: Ju është komunikuar ndonjë procesverbal që ju jeni nën hetim.


Beqja: Po. Kam dhënë sqarime dhe kam dorëzuar katër shkresa. Nuk di ça ka ndodhur tani me këtë hetim.


Avokati: Keni pasur procese të tjera penale?


Beqja: Kam pasur një ku Zamir Hasa më akuzon për vjedhje përmes mashtrimit. Ka mbaruar gjyqi.


Avokati: Kur u njohët me Shullazin?


Beqja: Në vitin 2014. Më ka çuar, për të bërë një bisedë me të në lidhje me regjistrimin e Vollgës në Durrës, pronë e Saudi Brothers.


Avokati: Ju çfarë ishit aty? Çtë drejta kishit?


Beqja: Administrator. Zotëroja të gjitha të drejtat, përfshi shitjen.


Avokati: Çmarrëdhënie keni?


Beqja: Kemi njohje të hershme. E kam marrë si avokat për këtë çështje. Ai do të më ndihmonte me gjyqet dhe unë do ti jepja 10 për qind të pronës.


Avokati: Çmarrëdhënie keni pasur me Luan Lekën?


Beqja: Kontraktuale. Ai ishte bashkë me Fejzi Kodrën. Unë me Kodrën kam pasur një kontratë për shitjen e 30 për qind të Vollgës, 1700 metra katrorë për 670 mijë euro.


Avokati: Pse vajtët te Shullazi?


Beqja: Ai ishte i ngarkuar me çështje. Ai më la avokatin Bujar Kareci. Por më pas edhe Bujari ishte i ngarkuar. Nuk di pse më çoi te Shullazi. Ai më tha që Shullazi do të vendoste drejtësi.


Ndërhyn Shullazi: Unë isha drejtësia? (Qeshin të pandehurit e tjerë)


Beqja: Unë e kisha humbur besimin te drejtësia.


Avokati: Edhe te kjo gjykatë që kemi para s`ke besim? Beqja: Jo te kjo, kisha humbur besimin te Gjykata e Durrësit.


Avokati: Çfarë të tha Shullazi?


Beqja: Ramë dakord që ai të më ndihmonte të regjistroja pronën dhe unë do ti jepja 20 për qind të saj, pasi prona të ishte regjistruar.


Avokati: Ia dhatë me zemër 20 përqindëshin?


Beqja: Po. Ishte një kontratë me kusht. Pasi të regjistrohej prona, ai do të merrte 20 për qind. Sot në hipotekë rezulton pronar Shullazi dhe dikush tjetër. Deri në atë moment kishim marrëdhënie shumë të mirë.


Avokati: Kur u prish marrëdhënia?


Beqja: Te noteria Aida Spaho, kur u bë kalimi i pronës. Ky më thirri te gjimnazi Partizani dhe më tha Çështë ajo kontratë legene?. Më vuri pistoletën në bark dhe më tha ti qis zorrët. Më tha: Siç po i kalon pronën Fejzi Kodrës, ma kalo edhe mua.


Avokati: Ke pasur kërcënime të mëparshme, para njohjes me Shullazin?


Beqja: Po, kam pasur. Kam pasur telefonata dhe plumba në xham. Më ka telefonuar dikush që tha jam Dritan Dajti dhe më tha se do të më vinte zorrët në qafë. Më vonë rezultoi se nuk ishte Dajti, por një person tjetër, i cili u gjykua dhe u dënua për këtë veprim.