Erkand Qerimaj duke ngritur shtangen ne EuropianPeshëngritje


Shtanga shqiptare rrezikon të mbetet një spektatore në Rio 2016 edhe pse Federata e Peshëngritjes është ajo që merr më shumë fonde çdo vit nga MAS. Sporti i cili ka dërguar vazhdimisht përfaqësues në Lojërat Olimpike, tani ka nevojë për “mëshirën” e drejtuesve të Federatës Ndërkombëtare, duke shpresuar që ata t’i dërgojnë ftesa ndonjë prej sportistëve shqiptarë, të cilët nuk arritën të siguronin kualifikimin nëpërmjet garave kualifikuese. Dështimi i radhës ka qenë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Norvegji, ku dy emrat kryesorë të delegacionit shqiptar, Briken Çalja dhe Erkand Qerimaj, nuk kanë siguruar asnjë pikë për renditjen ekipore që mund të sillte biletën e Olimpiadës. Nëse Çalja mund të ngushëllohet me një medalje bronzi në shkëputje para se të dështonte plotësisht në dygarësh, dje Qerimaj ka dhuruar një prej paraqitjeve më të dobëta të karrierës. Shtangisti shkodran i cili kishte pretendime për medalje në peshën 77 kilogramë, dështoi në të tri provat e tij në shkëputje, dy në peshën 153 kilogramë dhe një në peshën 154 kilogramë. Eliminimi pa realizuar asnjë ngritje të suksesshme në këtë stil, e mbylli para kohe garën e tij, pasi nuk lejohej të merrte pjesë në garën e shtytjes. Kësisoj, ashtu si Çalja një ditë më parë, Qerimaj nuk ka siguruar asnjë pikë për renditjen ekipore të Europianit, duke e lënë Shqipërinë jashtë 7 vendeve të para që garantojnë një biletë për në Rio 2016. Sot dhe nesër në Europian garojnë Krenar Shoraj, Endri Karina dhe Sopot Sula, por ata nuk pritet të japin rezultate që ndikojnë në renditjen e Shqipërisë. Ndaj FSHP po përgatitet t’i bëjë kërkesë Federatës Ndërkombëtare që t’i sigurojë asaj 1 nga 6 ftesat individuale që ajo ka në dispozicion për Federatat që nuk kanë çuar asnjë sportist në Olimpiadë.