14/12/2004  


Një person i armatosur me kallashnikov, kërcënon dhe hyn forcërisht në ambientet e policisë





BERAT - “Ka qenë një person i armatosur dhe i dehur që ka tentuar të hyjë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit. Oficerë e policë e kanë ndaluar, ndërsa ai ka këmbëngulur të më takojë mua, nën pretendimin se ‘i binin në qafë’. Unë nuk kam patur asnjë herë kontakt me këtë person, qoftë fizik”.


Kështu e ka komentuar dje tentativën për atentat ndaj tij, komisari Lorenc Panganika, drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit.


Ngjarja e rëndë ka ndodhur rrett orës 19.30 të mbrëmjes së djeshme. Një person i armatosur me armë tip automatik “kallashnikov” ka tentuar të hyjë forcërisht dhe të vrasë drejtorin e Policisë së Qarkut të Beratit, Lorenc Panganika, i cili ndodhej në zyrën e tij.


Burime të policisë lokale, bëjnë të ditur se 33-vjeçari Leonard Çaushi, banor i Kuçovës, i ishte afruar portës së jashtme të policisë dhe, pasi ka kërcënuar për të vrarë rojen, ka hyrë në oborrin e brendshëm, duke bërtitur e kërcënuar Panganikën me fjalët “do ta vras”.


Oficerët dhe policiët që gjendeshin në komisariat kanë ndërhyrë për të ndaluar atentatorin, i cili u kishte drejtuar armën atyre. Kanë qenë dy oficerët e policisë, Artan Zeka dhe Eduart Gjika, të cilët kanë tentuar njëkohësisht dhe kanë arritur të paralizojnë Çaushin, duke e çarmatosur atë. Menjëherë kanë ndërhyrë edhe uniforma të tjera të policisë, të cilët e kanë shoqëruar 33-vjeçarin në dhomat e izolimit.


Pas kësaj, policia lokale ka kaluar në gjendje gatishmërie, ndërsa është përforcuar ruajtja dhe survejimi i godinës.


Lidhur me motivin e këtij atentati, burime të policisë lokale bënë të ditur se ndaj Çaushit, i dyshuar për një vrasje, vetëm pak kohë më parë ishte rihapur me urdhër të drejtorit Panganika, dosja e konsideruar e zhdukur disa vite më parë. Të njëjtat burime saktësuan se 33-vjeçari është autor i dyshuar për vrasjen në vitin 1997, në vendin e quajtur “Ura e Kuçit” e Dritan Kananit, pronar i një punishte sallami, pas refuzimit të këtij për të paguar një gjobë të vënë nga Çaushi. Të njëjtat burime saktësuan se, megjithë plotësimin e saj, dosja humbi dy vjet pas ngjarjes, në kohën që prokuror i saj ishte Argjir Çuko, tashmë i shkarkuar nga detyra dhe kryen profesionin e avokatit.











Argjir Çuko





Ish-prokurori, avokati i Leonard Çaushit








Në lidhje me këtë hetim, ish-prokurori Argjir Çuko, i cili që prej ditës së djeshme është avokati i atentatorit të kryepolicit të Beratit, ka mohuar t’aketë pasur ai nën hetim dosjen ndaj Leonard Çaushit.


“Kjo dosje është pushuar nga Prokuroria e Beratit dhe në atë kohë unë nuk kam qenë prokuror, sepse isha larguar në shkurt të vitit 1999. Hetimi ndaj kësaj dosje është pushuar më vonë, jo vetëm nga prokuroria e Beratit, por dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi ajo ka qenë e paplotë dhe provat ishin të pasakta për fajësimin e Çaushit për akuzën e vrasjes së Dritan Kananit”.


Ish-prokurori Çuko, ka bërë të ditur se sot ai do të jetë avokati i Çaushit, në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë.