Katër turistë amerikanë kanë vdekur në Kosta Rika pas një aksidenti gjatë rafting-ut në një lumë të fryrë nga prurjet e ujit. Gjithashtu mungon një person i pestë, turist lokal.


“Katërmbëdhjetë turistë dhe tre udhëzues në bordin e tre barkave dhe një kajak, ishin në lumin Naranjito në Quepos, Puntarenas kur ndodhi aksidenti”, tha Alexander Morales i Kryqit të Kuq për AFP.


Identiteti i viktimave ende nuk është bërë i ditur. Daniel Calderon, Drejtori i Përgjithshëm i Forcës Policore Publike, konfirmoi se 10 turistë ishin shpëtuar.


“Ne kemi pasur disa vështirësi që konfirmojnë numrin total të turistëve dhe kombësive të tyre, meqë nuk kemi qenë në gjendje të marrim informacion nga përfaqësuesit e kompanisë turistike”, citohet të ketë thënë ai.


Calderon tha se shpëtuesit nga roja bregdetare dhe Kryqi i Kuq do të vazhdonin kërkimin për turistin e humbur në orët e hershme të së dielës.


Presidenti i Kosta Rikës, Carlos Alvarado shprehu “shqetësimin” e tij për këtë incident dhe tha se i kishte kërkuar autoriteteve që të jepnin të gjithë mbështetjen e mundshme për familjet e viktimave.


Rafting është një aktivitet turistik popullor në Kosta Rika. Vendi është aktualisht në sezonin e tij të lagësht dhe shirat e rëndë mbi bregun e Paqësorit kanë shkaktuar përmbytje duke e bërë sportin e ujit më të rrezikshëm.


21 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)