Dy ditë më parë, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë, arriti të kapë sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë, të paktën siç pretendon vetë policia. Janë plot 613 kilogramë, kokainë e pastër, për të cilën Policia e Shtetit shpejtoi për të marrë meritat e operacionit. Vlera e kësaj kokaine pas përzierjes, nëse do të dilte në treg, do të kapte shifrën 180 milionë euro.


Operacioni për kapjen e kësaj sasie kokaine, për koiçidencë, u bë dy ditë pas vizitës së kreut të Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, ndërsa në pranga janë vënë dy persona, përkatësisht shoferi, dhe menaxheri i kompanisë Arbri Garden, në magazinën e të cilës po shkarkohej kontenieri me banane në dyshemenë e të cilit ndodheshin 613 kg kokainë.


Në kërkim policia ka shpallur pronarin e kompanisë, Arbër Kuliçi (Çekaj). Për këtë arsye mediet thane se informacioni është dhënë nga italianët. Prokurori i Federico Cafiero De Raho, doli me një deklaratë ku tha se nuk kishte ndihmuar në operacionin e Policisë së Shtetit, por nuk mohonte dhënien e informacionit. Pas italianëve reagoi Armata Kolumbiane, e cila tha se ishte ajo që kishte sinjalizuar Italinë, për kokainën. Pra në të gjitha rastet kemi një nxitim gjithsekush për të marrë meritat. Për nga shpejtësia e zhvillimit është një aksion për tu përshëndetur, por në të njëjtën kohë ngrihen shumë pikëpyetje, e para cilët janë autorët e vërtetë të këtij trafiku ndërkombëtarë droge?


Janë dy palë të përfshira, përkatësisht kompania e bananeve dhe shoferi i kamionit. Por mund të ekzistojë edhe një palë e tretë dhe për këto ende policia nuk ka thënë kush janë pronarët e vërtetë.


Ekspertë të antidrogës thanë për CNA.al, se nuk është provuar që pronari i vërtetë është kompania e bananeve, sepse ajo ka porositur kontenierin dhe bananet. Kontenieri nuk është në pronësi të firmës, por mund të jetë pronësi e kompanisë së transportit. Por ngarkesa me kokainë mund të kishte një destinacion tjetër. Pra kokaina ka ngelur jetime.


Së dyti mjeti duhej lënë të shkarkohej, jo vetëm bananet por edhe kokaina, për të faktuar se droga ishte e subjektit ku do të shkarkohej. Kokaina ngeli në kamion.


Së treti duhet të lejonte shkarkimin e bananeve dhe lëvizjen e mëtejshme të kamionit, në rast se do të kishte një të tillë, për të thelluar hetimet në dy drejtime, tek kompania e transportit apo ndoshta edhe tek një destinacion i tretë.


Operacioni i policisë u shpall me shumë nxitim fitore e madhe, por askush nuk mund ta besojë se pronarët e vërtetë janë shoferi dhe një menaxher i firmës së bananeve, dhe kjo për shkak të argumenteve të sjella më lart nga ekspertët.


Që procesi të quhej i mbyllur dhe i faktuar, duhej të lihej që ngarkesa të shkarkohej ose të ndiqej kamioni se ku do të shkonte. Pra gjithçka përfundonte atëherë kur droga të shkarkohej nga kamioni në destinacionin final.


Për paralelizëm mund të përmendim rastin e dosjes Habilaj, më e freskëta dhe e raportuar gjerësisht në media, të cilën policia italiane e hetoi për të paktën 4 vite. Përgjoi telefonata, regjistroi biseda nëpër ambiente, faktoi dhe solli prova të mjaftueshme për trafikun e kanabisit. Vazhdoi hetimet deri sa plotësoi dosjen hetimore me prova të pakontestueshme.


Në rastin e Shqipërisë gjithçka është mjaftuar me çuarjen e kamionit tek magazine, ndërkohë që kamioni ka tjetër pronar, bananet tjetër pronar dhe droga mund të jetë ose e këtyre të dyve, ose e një personi të tretë, të cilit mund ti ketë bërë shumë nder policia me mungesën e profesionalizmit, në bashkëpunim me prokurorinë për ti shkuar deri në fund hetimit.


Në rast se policia shqiptare ka përgjime ambientale, ka siguruar prova të tjera që implikojnë direkt subjektin e bananeve apo dy personat e arrestuar, që pritet ti mësojmë gjatë seancave gjyqësore, atëherë mund të quhej triumfi i policisë shqiptare, në të kundërt gjithçka do të mbetej një show pa autor, me një kamion me kokainë të pastër që nuk do ti gjenden kurrë pronarët e vërtetë. Kokaina do të ngelej jetime. /CNA.al