Një nga bankat më të mëdha europiane Deutsche Bank nuk u ka shpëtuar pasojave të krizës financiare. grupi bankar gjerman ka raportuar për tremujorin e dytë të vitit një humbje të fortë të të ardhurave neto në kuotën e 661 milionë eurove kundrejt fitimeve prej 1,2 miliardë euro të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas drejtuesve të bankës Deutsche Bank po paguan zgjatjen e krizës dhe efektet e saj mbi borxhin sovran në Eurozonë si dhe besimin e investitorëve.

Kjo humbje e bankës lidhet me performancën e dobët të monedhës euro kryesisht në kostot e larta të personelit si dhe të shpenzimeve të tjera lidhur me aktivitetin në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Gjatë muajve të fundit banka ka reduktuar ekspozimin ndaj borxhit spanjoll, por në të njëjtën kohë ka shtuar ekspozimin ndaj titujve shtetëror italian. Gjithsesi instituti gjerman kërkon të sigurojë investitorët se ka kapital të mjaftueshëm për përballimin e një situate edhe më të keqe ekonomike.

Rezultatet negative të tremujorit të dytë të vitit e kanë detyruar bankën më të madhe gjermane të reduktojë 1900 vende pune në nivel botëror. Ky vendim do të përfshijë kryesisht sektorin e investimeve me heqjen 1500 punonjësve. Kjo lëvizje bën pjesë në planin e reduktimit të kostove prej 3 miliardë eurosh në vit. Në nivel global Deutsche Bank ka mbi 160000 punonjës.