Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI


Kapiteni i Luftëtarit, Bledar Devolli, thekson se nuk ka asnjë arsye që ekipi i tij të mos fitojë në javën e fundit të fazës së parë


Kryendeshja e javës së parafundit, Luftëtari-Kukësi, një nga ndeshjet më interesante të fazës së parë, nuk u zhvillua për shkak të situatës së zezë, që u krijua nga bora e bardhë që ra në Gjirokastër. Kjo shtyrje pa dyshim që deri në ditën që do të luhet do të mbajë në ankth jo vetëm dy kampet respektive, por edhe rivalët e tyre për kreun, ndërkohë që nuk do të dihet ndoshta renditja e saktë e fazës së parë, konkretisht e shkallëve të sipërme.


Ekipi gjirokastrit, për ndeshjen e fundit të fazës së parë duhet të matet në Mamurras me ekipin vendas, që aty ka shijuar vetëm fitore dhe barazime. Pa dyshim që shijen e humbjes do që ta shmangë sa më shumë, por ndryshe mendojnë gjirokastritët, të cilët, pavarësisht se luajnë në transfertë, duan që 2011-ën ta mbyllin me fitoren e 11-të. Ata mbështeten te gjirokastritët me yllin e dyfishtë DevolliNora dhe aleatët shkodranë, që janë luftarakë dhe të vendosur për suksesin.


Devolli Kapiteni i Luftëtarit, Bledar Devolli, shprehet: Është e qartë që çdo ekip dëshiron që më shumë se herët e tjera ndeshjen e fundit ta mbyllë sa më mirë. Kështu, edhe Luftëtari me Mamurrasin në përballjen e tyre në fushën e të dytit do të kërkojnë 3 pikët me gjithë arsenalin e tyre. Ne e kemi të qartë se ndeshja është mjaft e vështirë, por ndërkaq shtroj pyetjen:


Pse të mos fitojë Luftëtari me Mamurrasin? Përgjigjja ime është se faktori fushë që Mamurrasi e ka në favor kompensohet nga potenca që kemi ne me më shumë futbollistë profesionistë. Fati dhe gjykimi mund të kenë ndikimin e tyre.


Them se ne do të arrijmë të marrim rezultatin që na takon si kryesues me meritë të plotë deri tani. Nuk shoh arsye frenimi, nëse do të bëjmë luftën sportive si deri tani edhe në ndeshjet në transfertë, ku kemi pësuar vetëm 2 humbje minimale. U bëj thirrje bashkëlojtarëve për angazhim maksimal edhe në këtë përballje, gjë që besoj se do ta bëjmë.


 


1 gol


ka shënuar kapiteni gjirokastrit me fanellën e Luftëtarit këtë sezon, konkretisht në fitoren 4-0 me Gramozin javën e 12-të


 


13 pikë


diferencë kanë kryesuesit e kategorisë së parë me Mamurrasin