Ishte e para herë që shkoja në Has, në atë krahinë komshi me Kosovën tonë martire; në atë krahinë kreshnike që mbajti me zemër e shpirt shqiptari qindra- mijë shqiptarë kosovarë të larguar me dhunë nga trevat e tyre shekullore në vitin 1999 prej pushtuesve serbë; në atë krahinë shumë të bukur e gjeografikisht të përkëdhelur nga perëndia në vendosjen e saj “shëllo” ndaj diellit, siç thuhet rëndom në raste të tilla..., në atë krahinë fisnike ku edhe pse varfëria e gjatë e pushtimit komunist ende i mundon banorët, përsëri duket se jeta e tyre ka fituar një lloj sigurie për të ardhmen falë zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë...





KONKURSI BLEGTORAL





Arsyeja që ishim në atë krahinë mikpritëse ishte zhvillimi i një konkursi blegtoral zonal për dhinë e Hasit, e cila është një nga Perlat që nëna natyrë i ka falur atij vendi.


Ky konkurs zhvillohej nga Inspektorati i Zooteknisë së Qarkut të Kukësit në bashkëpunim me zyrën e Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit në rrethin e Hasit dhe i mbështetur nga fondacioni Raspi, i cili ka vite që e zhvillon këtë aktivitet në atë zonë me sukses, si dhe federata e fermerëve të blegtorisë së rrethit të Hasit. Pjesëmarrja e barinjve të Hasit ishte e kënaqshme, edhe pse gjatë mëngjesit duke u gdhirë ra një shi i fortë, i cili gjithsesi, për vendasit ishte një dhuratë për arat e mbjella me misër, grurë, jonxhë etj.


Gjithashtu, midis pjesëmarrësve si të ftuar ishin edhe kryetari i Bashkisë së Krumës, nënprefekti i Qarkut të Kukësit, specialistë të blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit etj.


Konkursi u zhvillua me pjesëmarrjen e disa barinjve të dalluar me tufat e tyre të dhive, të cilat u vlerësuan nga Inspektorati i Zooteknisë së Qarkut të Kukësit dhe në fund të aktivitetit barinjve fitues iu ndanë çmimet dhe diplomat për dhinë më të mirë, cjapin më të mirë dhe remontin më cilësor.





DHIA E HASIT





Është raca tipike autoktone e dhive në zonën e veriut të Shqipërisë. Është e përhapur në trevat e Qarkut të Kukësit, përfshirë rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës disi më pak, deri në zonën e thellë malore të Nikaj-Mërturit. Mendohet se mund të jetë edhe në Kosovë, në trevat e Malësisë së Gjakovës etj.


Populacioni aktual përbëhet nga një numër prej rreth 30 – 35.000 krerë në pjesën “shqiptare” dhe mbarështohet me shumë sukses nga barinjtë e apasionuar në kushtet aktuale të atyre kullotave të ripërtërira, pas dëmtimeve të sistemit socialist.


Dhia e Hasit së bashku me dhinë e Dragobisë, në vitet ‘70 – ‘75, para tufëzimit famëkeq, prodhonin mesatarisht jo më pak se 250 – 300 litra për krerë, përfshirë këtu edhe qumështin që pinë kecat.


Kuptohet që këtu kishte ndikuar puna shekullore seleksionuese ekstensive e vetë barinjve të talentuar, e cila u rrëzua në mënyrë të dhunshme nga eksperimentet e çmendura të regjimit komunist në emër të rendit kooperativist socialist.


Edhe sot në tufat e paraqitura në konkurs merret një prodhim nga 150 – 200 litra qumësht për krerë të mjelë. E ky rendiment duket mjaft i kënaqshëm për kushtet ekstensive të mbarështimit, në një kohë kur dora e specialistit ende nuk ndihet si duhet.


Dhia e Hasit karakterizohet nga një temperament i lartë dhe mjaft ekzigjent ndaj kushteve të mjedisit, në veçanti ndaj lagështirës. Është e durueshme ndaj temperaturave të ulëta të dimrit dhe një shfrytëzuese shumë e mirë e kullotës në të gjitha stinët e vitit.


Ajo çka është e rëndësishme tek kjo racë, ashtu si në të gjitha racat e tjera të dhive autoktone të vendit, është sjellja e saj e butë dhe elegante, le të themi prej “zonje”, por e një “zonje” që asnjë herë nuk “ka pasur fatin” që gjenetikisht të sillet si e tillë.





Jo të gjithë i njohin racat autoktone





Shpesh dëgjojmë të thuhet se filan racë dhie apo deleje nga filan shtet i Evropës është shumë e mirë; ajo prodhon aq e kaq litra qumësht, ka veti të mira mishatake, prodhim leshi etj.


Rrallë dëgjoje të tilla vlerësime edhe nga specialistë vendas të blegtorisë e aq më pak edhe nga politikanë të bujqësisë për racat e vendit, duke shprehur kështu si pa e kuptuar edhe një lloj “racizmi” ndaj tyre dhe mbivlerësimi për racat e huaja...


Me këtë që po them nuk mendoj se po u bie në qafë racave të huaja, përkundrazi, dua të them se gëzoj respekt për të gjithë specialistët dhe fermerët që i mbarështojnë ato jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Përkundrazi.


Personalisht, si një specialist i vjetër, pata fatin e mirë që të merrem që në vitet e para të profesionit tim të zooteknikut në vitet e kooperativës me racat autoktone.


Ato ishin vite tepër të vështira për të gjithë ne specialistët që vinim në profesionet e fshatit nga qytetet e mëdha për të punuar si “të zgjedhur” nga Partia e Punës në kooperativat bujqësore të zonave më të thella malore të vendit. Në këtë kuptim, unë mendoj se edhe nëse dikush pati arritur ndonjë farë rezultati pozitiv në blegtori për kushtet e kohës...?!?!; ato u realizuan (dikujt ndoshta mund t’i duket e çuditshme...?!) falë vlerave të larta përshtatëse dhe aftësive lehtësisht të rikuperueshme të këtyre racave autoktone ndaj disa masave pozitive organizative në ndihmë të tyre.





Të gjithë e duan mishin dhe qumështin e tyre





Gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike, falë edhe politikave të saj afruese e miqësore ndaj fshatit, vihet re një rikonceptim më i saktë i vlerave tradicionale, së pari, nga vetë fermerët që merren me mbarështimin e tyre. Kjo vjen si rezultat i rritjes së kërkesave të tregut, jo vetëm nga konsumatori tradicional, por edhe nga rrjeti i gjerë i lokaleve që përdorin këtë lloj mishi në menynë e tyre në mbarë vendin.


Është e kuptueshme se kjo rritje interesi për mishin e bagëtive të imta të racave autoktone shoqërohet me shtimin e të ardhurave në para, çka i shtyn barinjtë ta shndërrojnë mbarështimin e tyre në biznese me leverdi të madhe, të paktën në tufat me mbi 100 krerë dele ose dhi pëlleja. Kjo shihet edhe duke u hedhur një sy dyqaneve të mishit në qytetet e mëdha të vendit, sidomos në Tiranë, ku sheh varur mish qengji apo keci me çmime që përveç bariut, fitojnë jo pak edhe kasapët.


Po kështu, mjaft të shijshëm e të kërkuar në tregun vendas janë edhe qumështi i deleve e i dhive së bashku me nënproduktet e tyre si djathi, kosi, gjiza etj. Janë të shumta dyqanet e bulmetit në Tiranë që në xhamat e tyre kanë të shkruar “bulmet jugu” apo edhe “djathë Gjirokastre”, të cilat prodhohen nga qumështi i këtyre racave.





Politikat e Ministrisë së Bujqësisë





Si rezultat i kolapsit të prodhimit bujqësor vendas të 3-4 viteve më parë prej politikës së monopoleve të ndjekur nga qeveritë socialiste, Ministria e Bujqësisë në qendër të politikave të saj pati gjatë 3 viteve të fundit dhe do të ketë në vazhdimësi jo vetëm mbrojtjen e prodhimit vendas nga këto monopole, por edhe mbështetjen e nxitjen e tij në interes të fermerëve që merren me prodhimin bujqësor në vend.


Në këtë kuadër, vlen të përmendet edhe mbështetja e prodhimit blegtoral me politika subvencionuese gjatë vitit 2008 e më pas edhe në vitet e ardhshme. Kjo bëhet më se e domosdoshme edhe për faktin tjetër se me marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ndaj sektorit bujqësor në tërësi përfshirë edhe blegtorinë, mendohet se do të ketë disa herë më shumë mbështetje financiare sesa ajo që po jep sot qeveria shqiptare.


E kjo politikë duket mjaft eficente gjatë këtij viti bujqësor, kur edhe natyra ka marrë për mirë, si për të ndrequr gabimet e verës së thatë të vitit të kaluar.


Një gjë duhet të përmend lidhur me politikat e drejta të qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë në fushën e prodhimit të grurit. Kudo në Shqipëri është shtuar dukshëm sipërfaqja e mbjellë me grurë..., por në Kukës gruri ishte “det”, prodhimi i tij këtë vit i kundërshtonte hapur politikat e egra të monopoleve të miellit.