Prej më shumë se dy vjetësh dhjetra jetimë janë flakur në rrugë. Në bazë të ligjit mbi moshën 18 vjeç ata duhet të sistemohen nga shteti. Zgjidhja që i është dhënë situatës nga instancat përkatëse ka qënë strehimi i tyre në konviktet e shkollave të mesme. Por edhe kjo masë e marrë duket se nuk zbatohet. Shumë prej jetimëve janë nxjerrë me forcë nga ambientet ku u ishte siguruar fjetja. Në konviktin e shkollës së mesme Ekonomike në Tiranë por edhe në ato të shkollës Teknologjike, jetimët e “flakur” jashtë flenë rrugëve të kryeqytetit. Ngjarja është bërë publike para dy vitesh por situata ende nuk ka marrë zgjidhje edhe pse kryetari i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alia e ka konsideruar këtë gjest antihuman. Ai ka sqaruar se në bazë të ligjit, jetimëve duhet tu sigurohet strehim.


Megjithatë ende nuk është marrë ndonjë masë konkrete. Mesa duket thirrjet që shoqata i ka bërë shpesh herë organeve kopetente kanë rënë në vesh të shurdhër. Vladimir Tare është një prej jetimëve të shumtë që endet në rrugët e Tiranës. Ai fle në lagje të ndryshme të kryeqytetit, me dy çanta në krahë endet çdo ditë me shpresën se do të gjejë një punë për të mbajtur veten. Dikur i strehuar në ambientet e konviktit të shkollës së mesme Teknologjike, sot në qiell të hapur duke pritur me shpresën se dikush do ta ndihmojë. E ka të vështirë të flasë për jetën e tij. Fillimisht heziton pasi i duket e kotë. Ai shprehet se zëri i tij nuk është dëgjuar kurrë. I braktisur në një moshë të vogël, l2 vjeç, Vladimiri është rritur në shtë- pinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”. “Kam kaluar një fëmijëri mes shumë fëmijëve të tjerë, të cilët ishin braktisur njësoj si unë. Kam patur edukatorë të mire, më kanë dhënë mbështetje dhe shumë dashuri por peng e kam që nuk kam takuar kurrë nënën time. “Ajo ndodhet jashtë Shqipërisë. I vetmi kontak që kam patur ka qënë në lidhje telefonike dhe asgjë më shumë ” tregon ai.


Si ju kanë larguar nga konvikti dhe a keni miq të cilët enden rrugëve?


Na thanë se nuk gëzojmë statusin e jetimit. Ndërkohë më pas u tha se nuk kemi paguar faturën e shpenzimeve të energjisë elektrike. Më tragjike në këtë histori ishte se pjesë e grupit ishin edhe një çift me një fëmijë të vogël. Mjaftoni Xhymertaj dhe burri i saj, jetimë, bashkë me fëmijën e tyre të vogël, i hodhën të gjithë në rrugë.


“77 Neës” u interesua në një nga drejtoritë e konvikteve, përkatësisht ajo që mbulon shkollën e mesme Ekonomike. Qëndruam me orë të tëra në dyert e kësaj të fundit, por nuk na priti askush. E vetmja përgjigje që na dhanë tek dera është se nuk ishin në dijeni të situatës. Një vit më parë Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në një deklaratë zyrtare, ka sqaruar se në vendin tonë fillon për herë të parë aplikimi i shërbimit të kujdestarisë për fëmijët si një shërbim i ri alternativ dhe i përkohshëm. Sipas ministrit Ksera, reforma e ndërmarrë në shërbimet sociale synonte rritjen e mbështetjes për kategoritë në nevojë me qëllim final rritjen e mirëqenies dhe uljen e varfërisë, ku rëndësi e madhe i është kushtuar mbështetjes së fëmijëve në nevojë dhe familjeve të tyre. “Fëmijët janë kategoria më e ekspozuar ndaj rreziqeve, prandaj kanë nevojë për një mbrojtje dhe kujdes të veçantë nga familja, shoqëria dhe institucionet shtetërore”, ka theksuar ministri i Punës. Por realisht kalimtarë, njerëz të zakonshëm, deputetë e ministra të gjithë jemi dëshmimtarë se qindra fëmijë enden rrugëve. Disa prej tyre flaken nga jetimoret e disa të tjerë shfrytëzohen nga familja. 


Eriselda Martini