KORCE-  Rikthehet sërish për gjykim në Gjykatën e Apelit Korçë çështja e dhunimit të varreve në fshatin Boboshticë, ndaj kreut të OMONIA-s, Naum Disho dhe 2 te pandehurve të tjerë Alqi Koroveshi dhe Luan Zaqe. Çështja u rikthye pas vendimit të disa muajve më parë të Gjykatës së Lartë, e cila prishi vendimin e Apelit, duke kërkuar gjykim me një tjetër trupë gjyqtarësh.

Gjykata e Lartë ktheu çështjen për rigjykim pasi nuk kishte një hetim të plotë nga Gjykata e shkallës së Parë të Korçës, dhe e Apelit, që të provonte akuzën e dhunimit të varreve nga tre të pandehurit. Skandali u shënua 2 vjet më parë, kur u ngrit pa leje memoriali për ushtarët e rënë grekë mbi varret shekullore të banorëve të Boboshticës. Kreu i Omonias Naum Disho u dënua nga Apeli me 1 vit burg për dhuminin e varreve të Boboshticës, ndërsa për dy punëtorët Zaçe dhe Koroveshi, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, gjithashtu me 1 vit burg.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm dy punëtorët, ndërkohë mungoi i akuzuari kryesor, kreu i organizatës”Omonia”, Naum Disho duke u përfaqësuar nga avokatja e tij. Në seancë nga organi i akuzës është kërkuar caktimi i një eksperti urbanist, që të përcaktojë nëse ndërtimi i platformës prej betoni si dhe shkallët e memorialit të ushtarëve grekë, quhet ndërtim, në kuptimin e ligjit të urbanistikës, njëkohësisht nëse kjo sipërfaqe quhet apo jo varrezë. Kërkesa u pranua nga gjykata, e cila caktoi dy ekspertë të fushës që do të përcaktojnë llojin e tokës mbi të cilën u krye ndërtimi dhe nëse kjo sipërfaqe figuron në pronësi të Kishës dhe nëse është rregjistruar si varrezë.

(sg/shqiptarja.com)