Një trupë televizive e programit të Rai 2 në Itali, “Nemo Nessuno Escluso”, gazetari Daniele Piervincenzi dhe kameramani Edoardo Anselmi, janë dhunuar rëndë në Ostia, lagje e Romës, nga Roberto Spada, anëtar i familjes mafioze Spada, i njohur për kronikat e ndryshme dhe hetimet gjyqësore. Reportieri e ka pyetur Spadan për mbështetjen e dhënë nga familja e tij për Casapound në zgjedhjet e fundit.


Pas goditjes me kokë, ai i ka thyer hundën gazetarit, pastaj e ka qëlluar në kokë me një tub gome. Përgjatë të gjithë incidentit të ndodhur në Ostia, kameramani vazhdoi të xhironte. Menjëherë pas këtij akti, policia italiane ka arrestuar agresorin e dhunëshm.


Akuzat që rëndojnë tani mbi Spadën janë ato të lëndimeve të rënda trupore me metoda mafioze. Vëllai i tij Carmine po kryen një dënim prej 10 vitesh heqje lirie, për grabitje dhe lidhje me mafian.


Gazetari Daniele Piervincenzi i ishte afruar të riut, ndërsa ky po hynte në palestër, me qëllimin ti merrte një intervistë, por ai pas një bisede shumë të shkurtër u nxeh e kaloi në sulm.


Piervincenzi kërkonte të dinte nëse familja e tij kishte mbështetur CasaPound, një grup i djathtë ekstrem, kur Spada u lëshua mbi të. Edhe pse gazetari i thirri duke i thënë që i kishte thyer hundën, ai vazhdoi ta ndiqte e godiste me shkop.


CasaPound fitoi 9% të votave atje në zgjedhjet lokale të së dielës. Dy vite më parë, i gjithë Këshilli Bashkiak i Ostias u shpërbë, sepse ishte infiltruar tërësisht nga mafia.



10 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)