Pas denoncimit në Fiks Fare, ku një mësuese e shkollës fillore në Zharrëz, qëllon me shpullë dhe shkop fëmijët e klasës së dytë, të moshës 7 dhe 8 vjeç, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ministria bën me dije se mësuesja është pezulluar nga puna dhe se po kryen proceduarat e largimit të saj nga puna.


Mësuesja ushtron edhe dhunë psikologjike, duke i quajtur të miturit zhulsa, të palarë, të këqij etj. Pas dhunës, mësuesja i mëson fëmijët që mos të tregojnë në shtëpi se çfarë ndodh në klasë.


Njoftimi i Ministrisë së Arsimit


Drejtoria Arsimore Rajonale Fier nëpërmjet emisionit investigativ Fiks fare u informua mbi sjelljen gjatë një ore mësimi të mësueses së klasës së dytë të shkollës Sotir Çapo Zharrëz, Bashkia Patos, Juliana Dine.


Ne shprehim indinjatën tonë institucionale për gjuhën e përdorur nga mësuesja në komunikim me nxënësit dhe me prindërit e tyre. Ky qëndrim i mësueses, pavarësisht se ne mendojmë që është një rast i izoluar, është i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me punën e madhe që bëhet çdo ditë nga mësuesit dhe drejtuesit e përgjegjshëm në institucionet tona arsimore dhe nga të gjitha institucionet përgjegjëse për arsimin.


Drejtoria e shkollës Sotir Çapo Zharrëz, referuar akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, ka marrë sot masën disiplinore pezullim nga detyra dhe fillimin e procedurave disiplinore për largimin nga puna për mësuesen Juliana Dine. Gjithashtu DAR Fier ka urdhëruar monitorim të plotë të punës menaxhuese dhe mësimore në këtë institucion arsimor.


Po kështu kemi dërguar një grup të shërbimit psiko-social për të trajtuar dhe ndjekur nga afër gjendjen psiko-sociale të çdo nxënësi të kësaj klase, si edhe për të komunikuar me çdo prind të klasës për të evidentuar nëse ka pasur raste të mëparshme dhe të përsëritura dhune fizike ose psikologjike tek nxënësit.


DAR Fier falënderon emisionin investigativ Fiks fare për denoncimin e këtij rasti dhe të çdo fenomeni tjetër dhune psikologjike apo fizike ndaj nxënësve , duke dhënë një kontribut të çmuar për të krijuar tek stafet pedagogjike një frymë dhe mendësi pune, kulture dhe respekti për çdo nxënës dhe prind.


Ju bëjmë thirrje të përsëritur drejtorëve të shkollave, shërbimit psiko-social, mësuesve të institucioneve arsimore të qarkut Fier, të tregojnë profesionalizëm, shërbim arsimor korrekt ndaj nxënësve dhe qëndrim qytetar ndaj prindërve.



24 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)