Gishtat e saj lëvizin nxitimthi mbi tastierën e pianos, ndërkohë që tingujt e dalë nga instrumenti muzikor shpërhapen në skenën e gurtë të kështjellës së Gjirokastrës. Pas shumë vitesh mungesë në skenën artistike të vendlindjes së saj, Gjirokastrës, instrumentistja Dhurata Bejleri (Lazo) është rikthyer me një koncert recital. Artdashësit gjirokastritë përcjellin plot emocion pjesët e ekzekutuara nga Dhurata në një skenë natyrore të improvizuar në mjediset e gurta të kështjellës. Madje, në më të shumtën e rasteve ata shoqërojnë me duartrokitje përfundimin e pjesëve të ndryshme muzikore ndërsa pianistja çlodhet për disa sekonda për t’u rikthyer sërish në botën magjike të tingujve muzikorë. “Pasi kam dhënë një seri koncertesh në shumë skena artistike të botës ku kam korrur sukses, po realizoj një ëndrrën time të kahershme për t’i dhuruar qytetit ku kam lindur, tingujt magjikë të një koncerti recital në piano”, - do të shprehej Dhurata përpara nisjes së koncertit. Pasi përfundoi studimet për piano në Gjirokastër, ajo vazhdoi Liceun Artistik në Tiranë e më pas Akademinë e Arteve. Qysh kur ishte studente interpretoi me Orkestrën Simfonike të Televizionit Shqiptar, një orkestër e cila në atë kohë përbëhej nga muzikantë të shquar, njëherazi pedagogë të saj. Më pas, si soliste në orkestrën e dhomës, ajo është vlerësuar me disa çmime. Ashtu si mjaft kolegë të saj artistë, edhe pianistja gjirokastrite në fillim të viteve ’90 do të largohej nga vendi. Por, megjithëse në emigracion nuk do të hiqte për asnjë moment dorë nga muzika dhe pianoja. Fillimisht në Gjermani, së bashku me bashkëshortin e saj, instrumentistin Zija Bejleri do të jepte disa koncerte. Pjesëmarrja e saj në skenat artistike botërore do të vijonte me koncertet në Itali, Gjermani, SHBA, Luksemburg, Austri, regjistrimet për shtëpinë diskografike Phoenix CD “Concerto di Lafranchi”, apo pjesëmarrjen në festivale për pianoforte në Chioggia (Venezia), Padova, Pordenone e Udine. Gjatë prezantimeve të saj artistike jashtë kufijve të vendit, e paharruar për Dhuratën ka ngelur oferta e bërë nga ndërmarrja prodhuese e pianoforteve “Fazioli”. “Ata më dhanë mundësinë që të luaja në premierën e pianofortes “Model F308”, e konceptuar për salla të mëdha koncertesh, një shpikje kjo që zvogëlon akoma më shumë vëllimin e tingullit pa modifikuar timbrin e tij”, - thotë Dhurata. E me gjithë sukseset në skenat botërore, sërish dëshira e pianistes ishte të organizonte një koncert në Shqipëri dhe pse jo edhe në vendlindjen e saj, Gjirokastrën e gurtë. “Një pjesë e kësaj dëshire u realizua kur në fillim të këtij viti, së bashku me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar interpretova koncertin e Prof. Çesk Zadesë për piano dhe orkestër”, - thotë pianistja. E megjithatë, ajo do të vazhdonte të punonte me shumë dëshirë për koncertin në Gjirokastër, të cilin do ta realizonte më së fundi duke i dhuruar qytetit të saj një buqetë të këndshme muzikore. “Ndjehem shumë e respektuar nga vendlindja ime, aq më shumë që Këshilli Bashkiak i qytetit së fundi më ka akorduar edhe titullin “Krenaria e Gjirokastrës”, - thotë pianistja Dhurata Bejleri (Lazo) ndërsa premton se së shpejti do të kthehet në vendlindje me një tjetër koncert recital. Bledar Shehu