Ministrja e re e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot edhe zyrtarisht ka marrë detyrën duke e anashkaluar në këtë proces kryeministrin Isa Mustafa. Një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë bën të ditur se ministri i deritanishëm i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot i dorëzoi detyrën ministres Dhurata Hoxha.

Ishte pikërisht Hajredin Kuçi, i cili nga pozita e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, dy ditë më parë, në një konferencë për media në selinë e partisë Dhurata Hoxhën e shpalli ministre të Drejtësisë, duke e venë para aktit të kryer kryeministrin i cili vetëm duhet ta aminojë.

Duke ia dorëzuar detyrën ministres Hoxha, ish-ministri Kuçi e ka vlerësuar këtë emërim si lajm të mirë për Kosovën. Kuçi tha se në pozicionin e ri znj. Hoxha do ta ngrisë perceptimin për sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Sipas komunikatës, ministrja e sapo emëruar e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, falënderoi ish-ministrin Kuçi për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve, si dhe kërkoi që bashkëpunimi në mes tyre të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ajo premtoi se do të angazhohet që të forcojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar duke sforcuar më tutje parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

Dhurata Hoxha nuk ka qenë emër shumë publik, megjithatë ajo ka qenë pjesë e qeverisë edhe në mandatet e kaluara. Ministrja e Drejtësisë, ka qenë këshilltare politike e sigurisë në kabinetin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Në postin e ministres ajo vjen nga posti këshilltare politike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe si shumë njerëz të pushtetit punon edhe profesoreshë në disa kolegje private.