Krijimtarisë së Ridvan Dibrës i kushtohet një ditë nga “Kalimera poetike” në Ulqin


Shkodër- Në edicionin e sivjetshëm të aktivitetit tradicional letrar mbarëkombëtar “Kalimera Poetike” që zhvillohet në Ulqin të Malit të Zi, i ftuar nderi të cilit do ti kushtohet një mbrëmje e veçantë, është shkrimtari shkodran Ridvan Dibra. Aktiviteti letrar që zhvillohet çdo vit në stinën e verës, në një qytet turistik si Ulqini ku në këtë muaj ka një numër të madh pushuesish, synon promovimin e vlerave në fushën e letrave në gjithë trojet shqipfolëse. Dita e parë e “Kalimera Poetike 2008” i kushtohet poetit arbëresh nga Siçilia Xhuzepe Skiro di Maxho, për të cilin, sipas organizatorit të këtij aktiviteti Haxhi Shabani, do të referojë Prof..dr. Nasho Jorgaqi.


Në ditën e dytë promovohet “Autobiografia”, një vepër ku janë përshrirë krijime të pjesëmarrësve në këtë aktivitet. Gjatë kësaj dite referojnë prof. dr. Basri Çapriqi, Haxhi Shabani dhe shkrimtari Ibrahim Berjashi, për të vazhduar me “Orën e madhe letrare” ku poetët e shkrimtarët e ftuar lexojnë krijime të tyre.


Dita e tretë dhe e fundit i kushtohet një figure të njohur të letrave shqipe dhe që për këtë edicion është zgjedhur të jetë shkrimtari Ridvan Dibra. Lidhur e krijimtrinë letrare të Dibrës referon studiuesi Gjovalin Çuni, drejtor i bibliotekës “Martin Barleti” në Shkodër. Aktiviteti zhvillohet në mjediset e kalasë së Ulqinit dhe në të marrin pjesë krijues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, nga Diaspora etj.


Sipas Ridvan Dibrës, shkrimtarit të cilit do i kushtohet mbrëmja e veçantë e “Kalimerës poetike”, përveç paraqitjes së krijimeve letrare, një vend të veçantë do të zërë dhe diskutimi për realitetet e problematikën e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Debatet e diskutimet do të shoqërojnë gjithë aktivitetin ku të ftuar janë edhe krijues malazezë.


Për Ridvan Dibrën, me rëndësi në diskutimin për letërsinë bashkëkohore shqiptare është fakti aspak pozitiv që kritika letrare aktuale bëhet me metoda e kritere të vjetëruara, biografike si dhe problemet e analizës së veprës letrare duke e parë atë në planin tekstual, si tekst. “Shqipëria është i vetmi vend ku nuk botohet asnjë organ letrar, gazetë apo revistë,madje dhe një që ka qenë deri tani vonë, po mbyllet se nuk ka fonde, ndërsa shitja nuk siguron të ardhurat e mjaftueshme për të vazhduar botimin”, thotë Ridvan Dibra.