Nga Mero Baze


Natën kur Kolegji shqiptoi vendimin, Berisha shpërndau një sms për disa bashkëpunëtorë të tij të afërt ku shkruhej Vendim i shkëlqyer. Lulëzim Basha doli e përshëndeti në mesnatë, ndërsa Arben Ristani fluturoi nga gëzimi duke theksuar faktin se Kolegji legjitimoi veprimtarinë e KQZ. Por vendimi i zbardhur i Kolegjit Zgjedhor ka fshirë gjithë paqartësitë e shfaqura në shqiptimin e vendimit, të cilat kishin të bënin me përpjekjen e Berishës për të klasifikuar votat e hedhura gabim si vota të kontestuara dhe për ta mbyllur procesin e transparencës pa numëruar votat e qytetarëve, por vetëm duke përdorur 81 votat që dukshëm janë futur në grupet e numërimit mbasditen e 14 majit.  Vendimi e konsideron në kundërshtim me frymën e Kushtetutës procedurën e KQZ, dhe qartëson mënyrën se si duhet të ruhet integriteti i procesit. Dje Sali Berisha heshti. Heshti dhe Lulëzim Basha. Makinat me flamuj të PD-së nuk u panë nëpër rrugë. Arben Ristani nervoz kishte tentuar të jepte një opinion në një gazetë afër qeverisë për të siguruar Lulëzim Bashën që e ka të sigurt fitoren, duke shkelur kështu çdo etikë dhe çdo normë ligjore për profilin e kryetarit të KQZ. Bile distanca kohore nga e hëna deri në të enjte ishte e mbushur nga ana e qeverisë me keqinterpretim publik të vendimit, duke tentuar ti orientojnë publikisht gjyqtarët se si duhet ta zbardhin vendimin, gjë që rriti ndjeshëm tensionin në vend.


Por ndryshimi më i madh dhe thelbësor është nëse krahason dy vendimet e zbardhura të Kolegjit Zgjedhor, atë të Tom Ndrecës dhe këtë të Dhurata Haverit.


Së pari, nëse i hedh një sy gjuhës së vendimit të djeshëm të Kolegjit dhe gjuhës me të cilën është shkruar vendimi i Kolegjit, drejtuar nga Tom Ndreca, shikon një ndryshim të fortë stilistikor, një ndryshim të fortë në argumentet ligjore dhe mbi të gjitha ndryshim në interpretimin e Kodit Elektoral. Edhe pse Tom Ndreca është një mirditor, që siç mburret nëpër tavolina Berisha e mori nga dhitë dhe e bëri zabit, e kishte zbardhur vendimin në një toskërishte të theksuar, përzierë me terma latinë që Ndreca si ka dëgjuar as në ndonjë kishë, pasi si komunist ateist që ka qenë nuk ka shkelur në to. Vendimi i zbardhur i Kolegjit të tij dukej qartë që i kishte shkuar i shkruar nga dikush tjetër dhe ngjante me dy pika uji si arsyetimi i aktit normativ të Ristanit. Po ti krahasosh do të shikosh se ka togfjalësha të njëjtë, arsyetim të njëjtë për doktrinën e Kushtetutës dhe parimin që duhet respektuar çdo votë dhe fare pak, bile ndonjëherë aspak referencë ligjore.


Po të shikosh vendimin e djeshëm të Kolegjit ka një sintaksë krejt ndryshe nga ai i Tom Ndrecës, është shkruar me një gjuhë të thjesht pa sofistikime, dhe është në çdo paragraf i mbështetur në ligj. Nuk ka ilustrime me terma latinë dhe as i referohet Frymës së shenjtë të Kushtetutës, por thjesht Kodit Elektoral dhe parimeve të Kushtetutës. Kjo është një diferencë e madhe që dëshmon se mjafton të sillesh si gjyqtar dhe ky proces është i dënuar të shkojë në pavlefshmëri ose ti lihet mandati fituesit.


Një ndryshim i fortë mes dy vendimeve të zbardhura ka të bëjë dhe me konceptin për fletët e hedhura gabim. Vendimi i Tom Ndrecës legjitimonte futjen e 81 fletëve të votimit në kushte tërësisht të paqarta ligjore, por nuk denjonte të verifikonte se si ishte realisht situata në kutinë e kryetarit të Bashkisë, e cila u mbyll me dhjetë vota para për Edi Ramën. Një procesi, i cili kishte përfunduar, ishte alogjike ti shtoje fletë të tjera votimi pa parë në fillim nëse mungon apo kishte tepër fletë votimi në atë kuti. Vendimi i djeshëm i Kolegjit e qartëson këtë situatë dhe kërkon verifikimin e gjithë kutive. Kjo procedurë është e destinuar të prodhojë dy rezultate, e para që të përputhen votat e hedhura në kutinë e kryetarit me sasinë e votave që gjenden aty dhe loja merr fund duke i dhënë mandatin fituesit të asaj kutie, që është Edi Rama, ose votat të mos përputhen me numrin e votuesit, por natyrisht as me 81 votat e shtuara dhe të kalohet në pavlefshmëri. Pra, vendimi i djeshëm i Kolegjit në të vërtetë hap rrugë për të penalizuar dhe futjen e duarve në kuti duke shtuar 81 vota.


Së fundmi, duhet thënë se rreth zbardhjes së vendimit ka një konspiracion të tërë politik. Ka zëra që ja dedikojnë atë presionit ndërkombëtar për të ruajtur integritetin e votimit. Ka të tjerë që kanë fantazi dhe shikojnë një përpjekje të Berishës për të shitur Lulëzim Bashën dhe për të shpëtuar qeverinë. Kjo është qesharake pasi Berisha është strumbullari i gjithë këtij deformimi të procesit zgjedhor. Unë nuk dua të besoj as të parën, as të dytën, por thjesht pamundësinë e gjyqtarëve të Kolegjit për të gjykuar ndryshe para këtyre fakteve. Kjo vlen vetëm për të na treguar sa skandal është vendimi i Tom Ndrecës dhe jo sa real është ky vendim. Ky është një vendim normal gjyqtarësh që kanë rikthyer shansin për të hetuar zgjedhjet. Diferenca reale mes dy vendimeve është se njëri është hartuar dhe zbardhur nga gjyqtarë, tjetri në zyrën e Berishës. Problemi që ne kemi është se KQZ, ashtu siç lexoi ndryshe ligjin, ashtu do të lexojë ndryshe dhe këtë vendim, duke na e zgjatur dhe më tej krizën e zgjedhjeve.