Nga Mero Baze


Edi Rama ka mbajtur fjalimin më të dobët të jetës së tij për shtypin, në auditorin më të zgjedhur ballkanas, dhe para komisionerit të BE, që pret të dëgjojë gjëra të tjera nga kryeministri i një vendi, kandidat për anëtar të BE-së, në prag të hapjes së negociatave. Ai mund të kishte zgjedhur të thoshte ato që mendon për shtypin dhe të cilat janë natyrisht shumë herë më të këqiaj se ato që tha.


Nuk është se shtypi ynë, nuk meriton të sulmohet. Ashtu si klasa jonë politike, ai është i pacipë, i korruptuar dhe jo-konkurrues. Është produkt i një tregu jo konkurrent, të sponsorizuar dhe të mbivlerësuar. Por ai nuk i tha ato. Hezitoi se ka frikë se i hapet një debat më i madh se shtypi dhe paragjykohet si revanshist.


Mund të kishte zgjedhur të bënte hipokritin dhe zyrtarin politikisht korrekt, duke folur për lirinë e shtypit dhe garancinë se ai do të bëjë detyrat e tij në këtë drejtim.


As këtë nuk e bëri, se në fakt nuk e ka në tip.


Bëri diçka që me siguri duhet ta bezdisë dhe vetë, po ta rilexojë. U paraqit si një viktimë e shtypit luksoz të Tiranës.


Edi Rama di të shkruajë bukur dhe të flasë po aq bukur, nëse do të ishte i lirë. Fakti që ai nuk e bëri, dëshmon se Edi Rama nuk është i lirë, ose së paku është në një moment të madh hezitimi dhe reflektimi, nëse duhet të qërojë hesapet me shtypin, apo duhet të vazhdojë të negociojë me të. Është një vendim i madh, i cili në të vërtetë ndan liderët realë nga ata që janë kalkulues rrethanash dhe nevojash për pushtet.


Fjalimi i duhur i tij për lirinë e shtypit nuk ishte paraqitja si viktimë. Fjalimi i duhur i tij është reflektimi përse shtypi në Shqipëri është pjesërisht i lirë, përse autocensura e gazetarëve dominon mbi politikat redaksionale, dhe mbi të gjitha, përse është jo konkurres dhe mbijeton falë korrupsionit.


Të gjitha këto kanë një përgjegjës, dhe ajo është politika.


Kur komisioneri Hahn thotë se politika është përgjegjëse të garantojë lirinë e shtypit, e ka fjalën për politikën e pastër. Por edhe për shtypin që kemi sot, është përgjegjëse politika.


Politika jonë ka tentuar të bëjë më shumë se kaq. Ajo është përpjekur ta rehatojë shtypin, ta bëjë atë të ndjehet i pushtetshëm dhe i parrezikshëm për të. Ka ndarë me të, të gjitha veset, kusarinë, pushtetin, trafikun e influencës dhe betejat elektorale. Kësisoj, shtypi shqiptar është realisht i korruptuar, me pronarë të pasur, me gazetarë të mirëpaguar në shumicën e rasteve, dhe me punonjës shtypi që paguhen si fasonistë që punojnë me material të porositur.


Një kryeministër duhet të guxojë ta thotë këtë, por në rastin kur ky kryeministër quhet Edi Rama, para se ta thotë këtë, duhet të kërkojë ndjesë, që është një nga prodhuesit e këtij shtypi. Gjithë media e madhe në vend, sidomos ajo televizive, ose më mire të themi gjithë pronarët e saj, janë sot të tillë edhe për shkak të Edi Ramës. Të Sali Berishës e Ilir Metës, po e po.


Edi Rama duket se ndodhet në dilemën, a të nisë një betejë me këta pisa, a jo. Fjalimi i tij reflektonte sot gjithë dilemat e veta në këtë drejtim, mosdurimin që ka nga kapardisja e pronarëve që ka rritur me duart e veta dhe ja përdor pa para Berisha, Basha e Meta, nga opinionistët që i duken të patalentuar krahasuar me veten e tij, por që i mbinë para syve, nga reporterët që vetëquhen investigativë dhe janë shpikës të gazetarisë pa burime etj.


Kjo nuk është një dilemë e vogël. Nuk është as një vendim i lehtë. Është nga ato momente në karrierën e një politikani, kur duhet të tejkalosh vetveten dhe atë që ke bërë. Duhet të mësohesh të mos presësh më në zyrë Sandrin që shfaqet gjithnjë me Fevziun për ndonje leje, ndonjë park, apo ndonjë resort në det, Irfanin që ka gjithnjë një hall godinash, Ylli Ndroqin që do gjithnjë një punë, Vjollcën që do një nder,  Meron, Andin apo Armandin, që kanë gjithmonë një sherr, e kështu me radhë. Dhe duhet tua zgjidhësh të gjithëve hallin që të biesh rehat.


Nuk ua zgjidh dot dhe sikur të duash, por problemi është se nuk duhet të duash ta bësh këtë.


Edi Rama sot ishte as mish, as peshk, as në anën e gazetarëve, as në anën e pronarëve, as në detyrën e kryeministrit. Ai tentoi të ishte në anën e viktimës së shtypit, që nuk i ka lezet. Nuk është realisht viktimë e shtypit, është produkt i tij. Dhe nëse ndodh të bëhet viktimë, është viktimë e vetvetes dhe mënyrës se si i ka ndërtuar këto raporte.


Nuk i duhet fuqi për të mundur shtypin. I duhet fuqi për të mundur Edi Ramën e vjetër, dhe ta lërë shtypin të lirë nga vetvetja, të mbijetojë, ose të vdesë. Të mbyllë telefonat, të mos lexojë mesazhet apo email-et tona, të mos dëgjojë kërkesat tona private dhe pordhët për parime në publik, të shikojë nëse ne mund të jetojmë me urrejtjen ndaj tij.


Ndjehet në ajër që është gati ta bëjë këtë, por ka dilemën se mos nga kjo betejë, fitojnë kundërshtarët, që do të vazhdojnë të ruajnë këtë shtyp kështu siç është, klientelist, të korruptuar dhe jo cilësor. Është në dilemën, nëse do të jetë heroi i një beteje që do të fitohet, apo heroi i një beteje të humbur.


E di se nuk ka vetëm shtypin kundër, por mbi të gjitha, kundërshtarët politikë dhe gjyqësorin, që nuk janë gati për këtë betejë, që ta lënë shtypin të mbijetojë me produktet e veta, në tregun e vet dhe aftësitë e veta.


Dhe  ndërsa po shijoja pozitën e tij prej viktime, postieri më solli një fletë-thirrje për në gjykatë. Burri i kësaj gruas nga Tropoja, që është bërë prokurore antikorrupsion, kërkon për mua dhe kryeredaktorin, dy vjet burg, se gazeta ka botuar intervistën e një personi publik, që e akuzon burrin e kësaj kryevetingares, se ka qenë i përfshirë në aktivitet prostitucioni. Është dita, që dhe ky mendon, se viktima nuk janë prostitutat, por ai vetë. Është gjë e madhe ti mbushësh mendjen vetes, se je viktimë shtypi.