Mbi librin “Etika në media – çështje dhe raste”, shkruar nga Philip Patterson dhe Lee Wilkins, botim i shtëpisë botuese UFO Press.





Sfidat dhe dilemat etike zënë fill që në tekstet e filozofëve të lashtë. Ato, në një farë mënyre, gjithnjë kanë qenë bashkëshoqëruese të zhvillimeve historike e shoqërore. Por, me hopin e madh cilësor të teknologjisë së komunikimit, më shumë sesa pjesë e qenësishme e filozofisë dhe e formulimeve teorike, çështjet etike dhe diskutimet për përfshirjen e normave morale në vendimmarrje janë nevojë dhe rezultat i veprimtarisë së përditshme të njeriut. Sot është rritur dimensioni reflektues i gjithsecilit mbi atë që ndodh përreth. Dhe, në reflektimin apo zgjidhjet tona, ka një ndikim e një rol të padiskutueshëm media, qoftë ajo e shkruar qoftë elektronike. Paraqitjen e kësaj problematike të ndërlikuar, me një gjuhë e një strukturë krejt të veçantë, e merr përsipër libri më i ri që sapo është hedhur në qarkullim: “Etika në media – çështje dhe raste”, botim i shtëpisë botuese UFO Press. Autorët e librit janë Philip Patterson dhe Lee Wilkins, përkatësisht profesorë në Universitetin Kristian të Oklahomës dhe në universitetin e Misurit- Kolumbia. Ky libër vjen për lexuesin shqiptar në një shqipe të qartë e të rrjedhshme, punë e përbashkët e përkthyesve Valbona Nathanaili, Viola Gjylbegaj e Blendi Lami.


“Etika në media – çështje dhe raste”, është një tekst fondamental për studentët e gazetarisë, por mund të thuhet me siguri se nuk u drejtohet vetëm atyre. Në të mund të gjejë përgjigje, për çështje që i interesojnë, një shtresë shumë e gjerë lexuesish. Ata mund të jenë gazetarë, njerëz të tjerë, veprimtaria e të cilëve lidhet me median, ose profesionistë të fushave të ndryshme, që hasin në sfida apo dilema të pashmangshme etike dhe morale. Autorët, falë përvojës së tyre në fushën e medias, kanë zgjedhur një strukturë të veçantë, një metodë e stil mjaft tërheqës për të parashtruar idetë e tyre përmes rasteve e shembujve konkretë, larg akademizmave e recetave të gatshme. Siç shprehet në parathënie profesori i njohur i shkencave të komunikimit në Universitetin e Ilinoisit Cliford Cristians, “në këtë libër gjen vend tradita më e mirë e filozofisë praktike: gjenerohen debate nga dilemat e jetës së përditshme duke i drejtuar drejt çështjeve të qenësishme e duke zbatuar teorinë e përshtatshme për procesin e vendimmarrjes”.


Përvoja bashkëkohore e medias amerikane vjen në këtë botim përmes mjaft rasteve nga media të llojeve të ndryshme, mjaft të njohura që nga “Nju Jork Tajms”, “Los Angeles Tajms” CBC, CNN, NBC etj., por edhe nga media të tjera të botës si “Dayli Mirror”, “The Guardian” etj. Këto raste që trajtojnë çështje e dilema etike të ditës, që kanë bërë bujë e kanë ngjallur interesin e pothuaj gjithë shoqërisë, paraqiten në këtë libër në formën e tekstit, ilustrimeve, shembujve e fotografive. Libri është ndarë në 12 kapituj, të cilët përfshijnë çështje themelore të etikës, me një paraqitje të shkurtër teorike (ese) dhe me shumë raste e shembuj konkretë për secilën, të shkruar nga profesionistë të mediave amerikane, si përvojë e drejtpërdrejtë, e ditëve të sotme. Çështjet dhe rastet, por edhe shembuj të ndryshëm, rrokin etikën e informimit, të reklamave, respektimin e privatësisë, etikën e fotove dhe të videove në gazetari, apo edhe dimensionin etik të artit e argëtimit. Një pjesë me shumë vlera e me mjaft interes, sidomos për gazetarinë shqiptare, na duket kapitulli për mediat e reja, veçanërisht për etikën e internetit. Autorët nënvizojnë se fuqizimi i komunikimit kërkon më shumë ndërgjegje morale, mungesa e saj dhe e transparencës ekonomike, nga ana e shumë institucioneve të medias, e vënë në pikëpyetje këtë të fundit në marrëdhëniet me publikun e gjerë. Nisur nga ideja që studentët e sotëm janë profesionistët e nesërm të medias, libri i kushton rëndësi të dorës së parë përgatitjes dhe pavarësisë së mendimit e vendimmarrjes së tyre për çështje etike. Në fund të fundit, përgjigjja për dilemat e ndryshme, të paraqitura ose jo në tekst, është në ndjeshmërinë, përgjegjësinë e zbërthimin e detajuar të situatave të ngjashme nga secili. Këtij qëllimi i shërben hartimi i kapitujve me refleksione rreth rasteve më të fundit, duke sjellë atë që sot konsiderohet si arritja më e mirë në këtë fushë, trajtimi lakonik i teorisë së dilemave etike dhe sidomos modeli i diskutimit me pyetje të gatshme, në fund të çdo rasti të paraqitur. Në tekst, këto pyetje të ndara në mikro-çështje, mes-çështje dhe makro-çështje përfshijnë tema që nisen nga rasti në fjalë për të përfunduar në diskutime për probleme themelore universale, që lidhen me të vërtetën, barazinë, besnikërinë e përgjegjësinë. Ky strukturim i librit dhe i kapitujve në vetvete u krijon mundësi të mëdha komunikimi pedagogëve e studentëve, zgjeron hapësirën e lirisë e pavarësisë në vendimmarrje, e bën metodën e mësimdhënies më të zhdërvjelltë e më efikase. Dhe, ajo që na duket edhe më e rëndësishme, e lidh përgatitjen e të nxënit e studentëve me mjedisin real të mediave, ku do të punojnë në të ardhmen, pasi të gjithë shembujt dhe rastet (edhe kur janë hipotetikë) e kanë zanafillën në këtë mjedis.


Libri “Etika në media - çështje dhe raste” është botuar plot gjashtë herë në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk mund të klasifikohet si libër tregu, nuk është sensacional e ca më pak spekulues. Megjithatë, ka tërhequr dukshëm vëmendjen e profesionistëve të fushës së medias, të pedagogëve e studentëve të gazetarisë në Amerikë dhe është përkthyer në disa vende. Ky fakt dëshmon për vlera të mirëfillta, për trajtim origjinal të një teme mjaft të mprehtë e të debatueshme si etika në mediat e sotme, për shqyrtimin nga këndvështrime të veçanta të dilemave etiko-morale.





“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””


Fotot per Justin Rroten tek kultura