Dinamo-Flamurtari mund të konsiderohet fare mirë si përballja e të dëshpëruarëve. Të dy skuadrat i kanë zëvëndësuar trajnerët në gjashtë javët e para: te Dinamo, Faruk Sejdini është zëvëndësuar nga Redi Jupi, trajneri-lojtar dhe te Flamurtari, pas dorëheqjes së Agim Canaj, po kërkohet shkarkimi i Eqerem Memushit, pas asaj humbje poshtëruese 1-4 me Shkumbinin në ndeshjen e parë të turit cerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Dinamo vjen në sfidën direkte me vlonjatët pas fitores me Skënderbeun në Kupë (3-2), por dhe më rikthimin e dy lojtarëve titullarë si elbasanasi Ahmataj dhe krotati Kastel. Jupi pritet të hedhë një skuadër tërësisht me profil sulmues ku rol të dorës së parë do të ketë Gudjabi-Qorri, që janë njëherësh edhe dy nga golashënuesit më të mirë dinamovitë. Dinamo ka fituar 3 nga katër takimet brenda shtëpisë, ndërsa rivali kuqezi, ka siguruar vetëm një pikë në katër takimet jashtë stadiumit "Flamurtari", madje dhe fitorja e fundit kundër dinamovitëve i përket tetë viteve më parë, në sezonin 1998-1999.
Dy humbjet rresht të Flamurtarit nuk premtojnë për një fitore në kryeqytet me Dinamon që nuk njeh barazim në shtëpin e saj, duke përjashtuar humbjen me Teutën në javën e parë të kampionatit.
Dinamo-Flamurtari (ora 14:00) do të drejtohet nga gjyqtari Sazan Velcani.