Mesfushori i talentuar i FC Prishtinës, i cili aktualisht është i huazuar te Kosova (V), Argjend Mustafa, ka gjasa të mira që karrierën ta vazhdojë në futbollin kroat, respektivisht te klubi Dinamo Zagreb.

Në fakt, Mustafa tash e disa ditë është duke u provuar në klubin kroat me ekipin e juniorëve dhe drejtuesit e kësaj skuadre kanë kërkuar nga menaxheri i tij, Shukri Asllani, që Mustafa të qëndrojë në prova edhe për disa ditë shtesë në Zagreb, me çka nënkuptohet se drejtuesit e Dinamos po mendojnë t’i ofrojnë kontratë futbollistit kosovar. Megjithatë, se a do të mbetet, apo jo, Mustafa në Dinamo Zagreb, mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim.

Lajmin e ka bërë të ditur për Express vetë menaxheri i futbollistit, Shukri Asllani. “Unë, bashkë me Argjend Mustafën dhe Florent Zymerin, kemi qëndruar për pesë ditë në Zagreb, me ekipin e juniorëve të Dinamos, për pjesëmarrje në një turne. Lojtarët e lartpërmendur kanë qenë në prova tek Dinamo e Zagrebit dhe si rezultat i kësaj, ka dalë edhe kërkesa e Dinamos që Argjend Mustafës t’i vazhdohet qëndrimi në Zagreb të paktën edhe për një javë, në mënyrë që të mund ta vlerësojnë më mirë atë”, ka thënë Asllani.

“Unë jam shumë i kënaqur me paraqitjet e Argjend Mustafës, i cili në pesë ndeshjet e këtij turneu i ka dëshmuar cilësitë e tij, vetëmohimin, angazhimin dhe karakterin e mentalitetin për lakmi. Paraqitjet e tij janë pëlqyer nga të gjithë, prandaj ka ardhur kërkesa e Dinamos që Mustafa të qëndrojë edhe më tej në Zagreb. Kjo javë do të jetë vendimtare për Mustafën”, theksoi Asllani.

Bashkë me Argjend Mustafën, në Dinamo Zagreb është provuar edhe portieri i talentuar i Trepçës, Florent Zymeri. Por, për Zymerin, drejtuesit e Dinamo Zagrebit nuk i kanë bërë një kërkesë të njëjtë menaxherit të tij, Shukri Asllanit, ashtu sikur për Argjend Mustafën.

“Për fat të keq, për Zymerin aktualisht nuk mund të jepet ndonjë vlerësim, sepse Dinamo ishte në mbrojtje shumë e fortë dhe as nuk kishte rast që Zymeri të vihej në sprovë nga ekipet kundërshtare. Megjithatë, për ato pak raste që kishte, Zymeri dëshmoi se mund të jetë një portier me perspektivë”, përfundoi Asllani.

Zymeri dhe Mustafa, janë pjesë e përfaqësueses U-17 të Kosovës. Në vitin 2008, të dy patën shkëlqyer në turneun “Gaetano Scirea”, i cili është mbajtur në qytetin italian Matera. Gjatë këtij turneu, të dy futbollistët patën rënë në sy të disa klubeve të mëdha evropiane.