Dinamo fiton 2-1 derbin e kryeqytetit përballë Tiranës, duke u ngjitur në kuotën e 19 pikëve pas 7 javësh kampionat. Në “Qemal Stafa” është luajtur ndoshta takimi më i bukur i këtyre javëve të para dhe në fund duket se Tirana ka dalë jashtë luftës për titull, pasi diferenca prej 11 pikësh e bën thuajse të pamundur këtë mision. Fitorja e Dinamos u bë më e prekshme pas 5 minutash lojë, kur Migen Memelli nuk përmban nervat dhe reagon në një mënyrë jo shumë sportive ndaj një mbrojtësi të Dinamos pas një dyluftimi mes tyre. Një gjest që arbitri Sokol Jareci e ka parë mirë dhe nuk ia kursyer kartonin e kuq sulmuesit bardheblu. Dinamo gjeti rrugën e golit në minutën e 33-të, kur Elis Bakaj arriti të thyente portierin Nallbani me dy gjuajtje të njëpasnjëshme. Në sekondat shtesë të pjesës së parë Fation Sefa dyfishoi shifrat, ndërsa po në shtesë, Tirana shkurtoi diferencën me anë të Arbër Abilaliajt. Në pjesën e dytë kanë qenë bardheblutë ata që kanë dominuar, por nuk kanë mundur të gjejnë barazimin. 7 minuta para përfundimit Dinamo mbeti edhe ajo me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Gentjan Muça, megjithatë rezultati nuk ndryshoi.
Ndërkohë, në takimet e tjera, Vllaznia është rikthyer te fitorja duke mposhtur 2-0 Shkumbinin, falë dy golave të Balës. Fitore edhe për Besën, e cila mposhti 1-0 Flamurtarin, falë golit të Mancakut me penallti. Në Krujë, Kastrioti mundi 2-1 Skënderbeun ndërsa me të njëjtin rezultat fitoi edhe Teuta përballë Laçit. Ndeshja mes Apolonisë dhe Gramozit u luajt të shtunën dhe u fitua 3-0 nga fierakët. Pas kësaj jave Dinamo udhëheq me 19 pikë, e ndjekur nga Besa me 17 dhe Apolonia me 15.
(m.a/News24/BalkanWeb)