Dinamo e Ligës së Kampioneve ka aromë tërësisht amerikano-latine, duke filluar nga trajneri argjentinas Marselo Havier Zuleta e duke vazhduar me boshtin e saj futbollistik, nga porta në vijën e parë sulmuese.
LOJTARËT - Gjashtë lojtarë nga Amerika e Jugut janë pjesë e 17-herë kampionëve të Shqipërisë në sfidat e dyfishta kundër boshnjakëve të FK Modricës për turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, ndeshja e parë e së cilës do të zhvillohet ditën e martë, më 15 korrik në "Qemal Stafa" (ora 20:00). Katër futbollistë argjentinas, një brazilian e një peruan janë dhe "fytyrat" e reja të Dinamos.
ABRAHAM- Për aventurën e saj në Ligën e Kampioneve, Dinamo ka "marrë me qira" tre lojtarë të skuadrave të tjera të kampionatit shqiptar: mesfushorin Julian Ahmataj (nga Elbasani), si dhe mbrojtësin Abrahm e sulmuesin Daniel Xhafaj (që të dy nga Tirana).
PEJIC – Përvecse ka humbur portierin Kotori e mesfushorin e avancuar Bekim Kuli, Dinamos i ka dhënë lamtumirën edhe golashënuesi më i mirë i saj, kroati Pero Pejic, i cili ka nënshkruar për skuadrën austriake të kategorisë së parë, FC Kapfenberg. Te Dinamo tani nuk ka më asnjë lojtar kroat, nga katër të tillë që kontribuuan për të fituar titullin e 17-të bluve.
KUNDËRSHTARI - Skuadra e Modricës do të mbërrijë sot në mbrëmje në kryeqytet dhe do të akomodohet në hotel "Tirana International", ndërsa ditën e hënë do të zhvillojë edhe stërvitjen njohëse në impiantin ndërkombëtar shqiptar (ora 20:00).
BILETAT - Presidenti i bluve, Besnik Sulaj, synon afrimin e sa më shumë tifozëve në ballafaqimin që i mungon Dinamos, që nga viti 2002. Sipas zëdhënësit për shtyp të Dinamos, Xhevdet Zekaj biletat do të kenë një cmim simbolik, madje më të lira së në një ndeshje kampionati. 300 lekë do të kushtojnë biletat në tribunat A e B (të mbuluarat) dhe 200 lekë ato në tribunat për karshi (D1, D2, e D3).