Një tjetër humbje për Dinamon, kampione të Shqipërisë, ndaj homologëve të Bosnjes, që kanë përparuar në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, aty ku do të gjejnë danezët e Alborgut. 

 Kështu, për dinamovitët thuajse është përsëritur rezultati i një jave më parë, ndonëse ndryshe nga atëherë, këtë radhë gjërat në një moment u duk se do të shkonin shumë më mirë. Para syve të pak më shumë se 300 spektatorëve të pranishëm në stadium "Bilinom Polje" të Zenicës, formacioni më i "shqiptarizuar" i bluve në krahasim me një javë më parë, ka dominuar ndaj Modricës, që ka patur edhe një dozë të mirë fati, sidomos në momentet e finalizimit nga ana e shqiptarëve. Lojtarët e Mërgjyshit kanë krijuar raste të shumta për shënim, por edhe një herë tjetër kanë gabuar në çastet e fundit para porte. Megjithatë, pikërisht kampionët e Shqipërsë ishin të parët që kaluan në avantazh. Daniel Xhafaj, në të 73', është treguar i saktë, pas një shërbimi të saktë të Allmuçës, duke kapur në befasi mbrojtjen e Modriçës. Blutë kanë vazhduar të shpërdorojnë raste, teksa ishin edhe mjaft pranë dyfishimit të rezultatit, gjë që do të kishte sjellë kualifikimin. Por atëherë kur pritej goli i dytë i Dinamos, Modrica ka përfituar nga një kundërsulm dhe moment shpërqendrimi i miqve, për të fiksuar me Zafiroviç barazimin në minutën e parë shtesë të takimit. Kjo ka qenë një dush i ftohtë për dinamovitët, të cilët e kanë humbur busullën dhe në minutën e katërt shtesë kanë pësuar golin e "nokdaunit" me Bojiç. Sipas lajmeve që vijnë nga Bosnje Hercegovina, media boshnjake ka shfaqur pak interes për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve, Modriça-Dinamo dhe veçanërisht për mbërritjen e ekipit shqiptar në Zenica. Mësohet se takimin nuk e ka transmetuar asnjë televizion. Modrica ka probleme financiare.