Prezantimi zyrtar i trajnerit të ri të Dinamos, Shkëlqim Muça, nuk pati një sfond 100 për qind rozë. Kjo për shkak të së kaluarës së ish-trajnerit të Tiranës. Një grup jo i vogël i tifozerisë së Dinamos, nuk e kanë pritur mirë përzgjedhjen e një njeriu nga “kampi i armiqve” të përjetshëm. Sipas tyre, Dinamo ka shkollën e saj të trajnerëve dhe nuk duhej “importuar” një teknik nga rivalët e përjetshëm kryeqytetas. Shkëlqim Muça u prezantua në orën 15:00 të ditës së djeshme në “shtëpinë blu” nga asnjë prej drejtuesve të lartë të 17-herë kampioneve, një ritual që të paktën gjatë këtij sezoni kishte ndodhur dy herë të tjera: në prezantimin e argjentinasit Marcelo Havier Zuleta e më pas me zëvendësuesin me “urgjencë” të tij, kroatin Zlatko Daliç. Pikërisht këtij të fundit, pas 19 javëve kampionat, Shkëlqim Muça, njeriu që i dha titullin e 23-të kampion Tiranës, i zuri vendin pas largimit të kroatit për shkak të dy humbjeve të dëshpëruara në derbin me Tiranën (2-4) dhe Partizanin (1-0). Muça, i cili pas largimit nga detyra e sekretarit të Klubit të Futbollit “Tirana” (2007), kishte veshur kostumin e analistit sportiv, u shpreh për mediat se kishte parë me kujdes strategjinë e Dinamos, përpara se të pranonte ofertën e presidentit Besnik Sulaj. Në fakt, si të vetëlarguarin Zllatko Daliç ashtu dhe të afruarin Shkëlqim Muça, i lidh me një “fije magjike”, emri i klubi të tretë kryqytetas: Partizani. Daliç u largua pas humbjes 1-0 me Partizanin (4 shkurt 2009), ndërsa Muça pas humbjes 4-1 të Tiranës, po me Partizanin (2 mars 2008). “Vij te një ekip i madh, që ka objektiva të mëdha. Nuk u trembem rivalëve dhe jam gati për të nisur sfidën”, - u shpreh Muça për mediat e shumta të pranishme. Në fakt, rivalët më të mëdhenj të Dinamos nuk janë askush tjetër po Vllaznia e vendit të parë (ka 8 pikë më shumë se Dinamo) dhe ish-skuadra e Muçës, Tirana (+7 pikë nga Dinamo). Ish-trajneri i bardhebluve foli edhe për objektivat sezonalë të Dinamos, dy synimet madhore të kampionëve në fuqi. “Kam rënë dakord me stafin për të punuar në grup, pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat tona për këtë sezon: titullin dhe Kupën e Shqipërisë. Dinamo ka lojtarë të mirë dhe drejtuesit e klubit janë korrektë. Dua ta rikthej Dinamon te sukseset”. Drejtuesit e Dinamos, me kërkesë edhe të vetë Muçës, rikonfirmuan si ndihmëstrajnerë Artan Mërgjyshin dhe Ilir Bozhiqin. Sfida e parë e Shkëlqim Muçës si trajner i Dinamos do të jetë ajo kundër Apolonisë. Skuadra fierake vjen në përballjen me blutë pas katër fitoreve rresht, çka do të ishte një sfidë aspak e lehtë e bluve, për më tepër që Apolonia ka në stol një strateg si Esad Karishik.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009