17/06/2005  Vetëm pak ditë më parë ka dalë në treg libri autobiografik i shkrimtarit të mirënjohur të humorit, Dionis Bubani, botuar nga "Omsca-1". Një retrospektivë jo vetëm në jetën e tij, por edhe në atë të shoqërisë dhe krijuesve shqiptarë, të ngërthyer në darën e autocensurës dhe censurës komuniste


Dikush mund të thotë se është shumë e lehtë të rrëfesh për vetveten, mjafton të sjellësh ndërmend të shkuarën dhe ta hedhësh në letër. E parë në këtë prizëm, sigurisht që duket shumë e lehtë, por kur këto kujtime duhet edhe të botohen, atëherë situata komplikohet, edhe pse autori i këtyre rrëfimeve mund të jetë një shkrimtar i madh dhe me përvojë, pasi gjëja më e vështirë për një njeri të mençur është të shkruaj për veten. Eshtë një ndjesi që të përshkon gjatë gjithë kohës që lexon veprën e fundit të shkrimtarit të mirënjohur të humorit dhe jo vetëm, Dionis Bubanit, pasi kupton që është matur shumë në çdo fjalë, duke u përpjekur maksimalisht të shmangë çdo lloj superlativi të pavullnetshëm, për veten, familjen apo edhe krijimet e tij. Në rast se nuk do ta njihje veprën e tij, mund edhe të mendosh se përse duhet të lexosh këto kujtime. Modestia e Bubanit është e dallueshme, e prekshme, por aspak e ekzagjeruar. Libri fillon me kujtimet e fëmijërsië së autorit, por lexuesi ka përshtypjen se po i njëjti fëmijë rrëfen të gjithë historinë dhe këtu nuk nënkuptohet naiviteti i një fëmije, por sinqeriteti i tij i thellë, pa asnjë kompleks. Duke treguar një moment të fëmijërsië së tij, Bubani shkruan se, "...kjo ishte trimëria ime e parë, të cilën e kujtoj me krenari edhe pas 70 vitesh. Por tani, që të jem i sinqertë e ta kem ndërgjegjen të qetë, më duhet të pohoj se në jetë nuk jam treguar kurdoherë trim...". Ndoshta, ky pohim tejet i çiltër vlen më shumë se çdo koment tjetër. Lidhja e familjes së tij me emrat më të shquar të emigracionit shqiptar në Rumani, por edhe të madhin Viktor Eftimiu, nuk kanë aspak nota mburrjeje apo krenarie të tepruar (e as doni më për Belulin), por janë thjesht kujtime të ëmbla fëmijërie, që i shfaqen tepër organikisht, ashtu si në një film të metrazhit të gjatë, regjisori i të cilit nuk ka lidhje personale me veprën e tij. Një gjuhë e thjesht, ndoshta pak e kontraktuar nga frika e ndonjë teprimi, por që gjithsesi nuk mungon humori i zgjuar (edhe pse në kuadrin e një humori të zi). Libri i Bubanit është ndërtuar në retrospktivë personazhesh dhe jo kronologjike, fakt që i jep jo vetëm një ritëm të veçantë, por edhe një thyerje tërheqëse, që të çon sa para-mbrapa në kohë, pa turbulluar aspak rrjedhën e leximit. Libri në tërësinë e tij, përshkruhet nga një teknikë e thjeshtë narrative, por tepër emotive dhe prekëse, duke të dhënë ndjesinë e të qenit shumë pranë autorit dhe personazheve të tij. Ajo çka është për të nënvizuar më tepër konsiston te mënyra se si autori ka përshkruar periudhën më të errët të shoqërisë shqiptare të shek. XX, atë të diktaturës komuniste. Nuk ka urrejtje, nuk ka mallkime e blasfemi, por thjesht keqardhje për atë fat të zi, që nuk i takoi vetëm Bubanit, por të gjithë shqiptarve. Madje gjen edhe mirënjohje ndaj njerëzve apo edhe komunistëve të thjeshtë, që në thelb nuk patën asgjë të përbashkët me farën e keqe që mbolli "Zeusi". Në fund të fundit, shkatë tragjike të jetës së Bubanit janë shkatë tragjike të të gjithë shqiptarëve. Nuk ka heroizma, as rebelizma apo trumbetime disidenti, por një përpjekje për të rrëfyer të vërtetën, se si mundi të mbijetojë arti, kultura, humori dhe i gjithë kombi shqiptar nën thundrën e egër të diktaturës.


Çdo individ është personalitet


Pa e tepruar aspak, por mënyra se si Bubani i ka përshkruar të gjitha personazhet e jetës së tij, të bind në një fakt se, pavarësisht nga përmasat secili prej tyre është një personalitet. Viktor Eftimiu është i madh pa diskutim, por po kaq i madh prezantohet edhe i paharrueshmi Tano Banushi, i cili kishte kurojon njerëzore të sfidonte luftën e klasave. I madh Nonda Bulku, por po kaq i madh vjen edhe Mustafa Grelleshi, e kështu me radhë mund të numërosh mbi 300 personalitete që parakalojnë para syve të lexuesve, nëpërmjet kujtimeve të Bubanit. Nuk neglizhon askënd dhe i jep dimensionin e tij secilit, ku ndjen respket, mirënjohje dhe vlerësim, pavarësisht nga emri dhe meritat. Po kaq prekës, edhe pse në një rrafsh krejt personal, janë edhe kujtimet e Bubanit për familjen apo edhe njerëzit e tij të dashur. Ndjen adhurimin e tij për të atin, Gjergj Bubanin, por asnjë mburrje apo lavde. Por, ndoshta momenti më emocionues është kur Bubani përshkruan njohjen dhe lidhjen me bashkëshorten e tij, Afërditën, një histori dashurie që vazhdoi për një jetë të tërë, prekëse po aq dhe kurajoze. E pa dyshim që nuk mund të anashkalosh revistën "Hosteni", Estradën e Tiranës, por edhe vatra të tjera të humorit shqiptar, të cilat kanë qenë vetë jeta për Bubanin, tharmi i saj. E natyrisht që së bashku me "Hostenin" vijnë edhe personazhet e famshme të tij ndër vite, si Nonda Bulka, Nako Spiru, Petro Marko, Zihi Sako, Zef Bumçi, Kristo Nikolla e shumë emra të tjerë të nderuar, që është e pamundur t'i përmendësh të gjithë. Por, po me kaq respekt, Bubani flet dhe për shkrimtarin e humorit turk Azis Nesin, atë rumun Valentin Silvestru etj. Një rrugëtim i gjatë nga Rumania e viteve '20 e deri në Shqipërinë e ditëve tona, me një mesazh të kahershëm e kuptimplotë: "Po! Jeta vazhdon...".


Leonard Olli