Dy ditë pasi opozita goditi paketën fiskale dhe përjashtimin e hoteleve me 5 yje nga taksat, si një projekt për pastrimin e parave, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka paraqitur pikërisht këto masa si pikën më të fortë të Shqipërisë.


Në takimin me ambasadorët, ministri Ahmetaj u ka kërkuar te ofrojnë investitorë në sektorin e turizmit, pasi Shqipëria ka paketën më të favorshme ligjore, krahasuar me vende si Kroacia apo Mali i Zi.


Ne kemi vetëm një sfidë, sfidën ekonomike. Ne nuk jemi në tryezat e mëdha për të balancuar zhvillimet politike globale, sepse ato bëhen nëpërmjet instrumenteve siç është NATO, apo organizatave ndërkombëtare ku ne marrim pjesë e influencojmë dhe në këndvështrimi tim puna juaj e drejtpërdrejtë është me investitorët, deklaroi Ahmetaj.


Qeveria sipas tij, ka ndërmarrë reforma që janë fokusuar te përmirësimi i klimës së biznesit, konsolidimi fiskal dhe ulja e borxhit publik.


Këto janë reformat që duhet të ndërmarrë një qeveri e përgjegjshme, reforma që janë reflektuar edhe te konsumi, i cili për 7 tremujorë me radhë rezulton pozitiv, bëri të ditur ministri.


Sipas tij, qeveria parashikon që vitin tjetër prodhimi kombëtar të zgjerohet me 4.2%. Duke u ndalur tek sektorët në zhvillim, kreu i financave publike, theksoi se tregtia, shërbimet dhe turizmi janë në zgjerim.


Ahmetaj ka kritikuar përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në botë, se nuk kanë sjellë investitorë në Shqipëri.


Diplomacia ekonomike si prioritet u paralajmërua që në muajin gusht, kur kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër punën e ambasadorëve.