Marrëveshja e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve është firmosur nga Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Hasan Kaplan dhe përfaqësuesi i Leeds Metropolitan University, Z. Robert Teal.

Sipas kësaj marrëveshje studentët e vitit të katërt në Universitetin Epoka do të kenë mundësinë të transferohen në vitin e tyre të fundit të studimeve në Leeds Metropolitan University në Britaninë e Madhe. Kjo do t’u mundësojë atyre të marrin diplomë të dyfishtë (dual diploma) në degën që diplomohen.
Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Hasan Kaplan u shpreh se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të dy Universitetet.

“Ne po bëjmë çmos për rritjen e mundësive për studentët shqiptarë dhe ky është edhe synimi i marrëveshjes. Ata do të marrin diplomë të dyfishtë në Universitetin Epoka ashtu sikundër edhe në Universitetin Metropolitan të Lidsit. Studentët shqiptarë do të kenë kësisoj mundësinë për të qenë të barabartë përpara moshatarëve të tyre evropianë për të aplikuar në institucionet më të rëndësishme të kontientit të vjetër”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Z. Robert Teal, përfaqësues i Leeds Metropolitan University, u shpreh optimistë për marrëveshjen. “Kemi firmosur sot një marrëveshje bashkëpunimi më një nga universitetet serioze më Shqipëri çka na bën optimistë. Studentët shqiptarë janë të mirëpritur për të treguar cilësitë e tyre në Universitetin tonë dhe besoj se diplomat që do t’u ofrojmë ne dhe Universiteti Epoka, do t’i ndihmojnë të bëjnë hapa para në jetë”, deklaroi ai

Diplomat e dyfishta jepen për herë të parë mes një Universiteti britanik dhe një shqiptar. Kjo shihet nga drejtuesit e të dyja institucioneve si një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë që duan të marrin një arsimim cilësor. Universiteti Epoka nga ana e tij, pas një bashkëpunimi cilësor me Universitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Zvicër, Turqi etj, hedh firmën mbi një tjetër marrëveshje të suksesshme më një Universitet britanik.

Ky universitet është çelur në vitin 2007 dhe njihet si vazhdimësi e suksesit të Kolegjeve turke në Shqipëri. Universiteti Epoka, me gjithë kohën e shkurtër të themelimit tashmë ka edhe një kampus modern duke u kthyer në një vend ku shpërndahet kulturë dhe dije dhe një zgjedhje e sigurtë për maturantët shqiptarë.

                                                                                             2010-12-14 09:00