Përfaqësues të organizatave të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Tiranë diskutuan gjatë një takimi për të drejtat e homoseksualëve, dhunës ndaj grave dhe të miturve. Përsa u takon të drejtave të homoseksualëve, specialistët arritën në konkluzionin se të drejtat e homoseksualëve në vendin tonë janë ende një tabu dhe të papranueshme për shoqërinë. Këta persona diskriminohen në mënyrë të vazhdueshme nga shoqëria. Në këtë takim është folur dhe për masat kundër dhunës në familjet shqiptare. Nga vendimet e monitoruara nga Gjykata e Tiranës rezulton se është rritur numri i grave dhe vajzave që denoncojnë dhunën. Vetëm 6 muajt e fundit kjo gjykatë ka lëshuar rreth 140 urdhra civile të mbrojtjes. Vetëm dy ditë pas përkujtimit të 60-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, të drejtat e të miturve, të grave dhe homoseksualeve në vendin tonë janë diskutuar në një tryezë me përfaqësues nga organizata që mbrojnë këto grupe. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit janë shprehur se në vendin tonë mungon një strukturë e mirorganizuar që të njihet nga shteti dhe që mbron të drejtat e fëmijëve.



13 Dhjetor 2008